Masat e sigurisë në BE pas atentatit, Parisi zhbllokon deklarimin e të dhënave personale

13/01/2015 00:00

Thirrjet për ligje më të ashpra sigurie në vendet e Bashkimit Europian nisën shumë shpejt pas sulmeve të Parisit. Një skenar ky, i përsëritur edhe më parë.

Edhe pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, atyre të 2004-s në një stacion treni të Madridit, shpërthimeve në Londër në 2005-n apo episodi i dhunës i 2014-s në Muzeun Hebraik në Bruksel, ka pasur për çdo herë thirrje për ashpërsimin e ligjeve të sigurisë.

Një nga kërkesat kryesore janë mbledhjet rutinë, analiza dhe ruajtja e të dhënave personale, qoftë të telekomunikacionit, atyre bankare ose të dhënat e udhëtarëve.

SHBA marrin tashmë – për shembull, në rastin e fluturimeve transatlantike – të dhënat e të gjithë pasagjerëve nga vendet e BE-së, duke përfshirë emrin, adresën dhe numrin e kartës së kreditit.

Shumica e ministrave të Brendshëm evropianë kërkojnë aktivizimin e një sistemi të transferimit të të dhënave për pasagjerët, edhe për fluturimet brenda kontinentit të vjetër. Por, Parlamenti Europian deri tani e ka penguar këtë gjë, për shkak të rezervave në lidhje me ruajtjen e privatësisë.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, pas sulmeve të Parisit nuk ka më mirëkuptim për këtë rezistencë. Pas takimit të dielën në Paris, ai tha se “kushdo që refuzon një marrëveshje evropiane për transferimin e të dhënave për pasagjerët, nuk e di se ç’po ndodh”.

Rrezik të veçantë përbëjnë të kthyerit e dhunshëm nga Siria dhe Iraku. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Evropiane të Policisë, “Europol”, ka rreth 3000 qytetarë të BE-së që luftojnë apo kanë luftuar për militantët e Shtetit Islamik. Shqetësimi është se ata, pas kthimit të tyre, mund të ndërmarrin sulme në Europë, ndaj shërbimet sekrete i kanë vendosur nën mbikëqyrje të posaçme.

Top Channel