Testimi i mjekëve, ish-ministrat kundër. Edhe “Urdhri i mjekëve” përcjell pakënaqësitë

12/01/2015 00:00

Testimi i 3700 mjekëve dhe rreth 13 mijë infermierëve e laborantëve duket se nuk është pritur mirë as nga ata që do t’i nënshtrohen këtij testi, por as nga ish-drejtues të Shëndetësisë. Ish-ministri i këtij dikasteri, Petrit Vasili, e konsideron një nismë të tejkaluar dhe pa rezultat.

“Idea e fotografimit në mënyrë të njëhershme në një kohë të caktuar e mjekëve nëpërmjet provimit besoj se është një ide e tejkaluar dhe pa referenca ndërkombëtare, pasi nuk ndodh gjëkundi. Idea që bëmë një provim dhe aty mbyllen problemet nuk përbën thelbin e profesionit të mjekësisë. Thelbi i këtij profesioni është mbajtja gjallë e tij gjatë gjithë jetës. Druaj dhe e them me baza, se kjo na rikthen sërish në sistemin e mëparshëm, pasi ka ekzistuar edhe përpara viteve ’90 ky sistem i testimeve, i cili nuk e rriti asnjëherë nivelin, veç se krijoi një qetësi artificiale që pas dhënies së provimit mjeku është në rregull. Ndërkohë, dija mjekësore bën përpara dhe ecën në mënyrë të vazhdueshme pa u ndalur fare”, tha ish-ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, tashmë kreu i grupit parlamentar të LSI-së.

Ndërsa Tritan Shehu, nëpërmjet një deklarate për shtyp, shprehet se kjo nismë nuk është e bazuar në ligj, në praktikën tonë dhe atë ndërkombëtare. Testime të tilla – sipas tij – tingëlllojnë abuzive, jo profesionale dhe bien ndesh me të drejtat e profesionistëve dhe të drejtat e njeriut.

Në të njëjtën linjë qëndron dhe “Urdhri i mjekut”, i cili përcjell pakënaqësitë e mjekëve në lidhje me këtë testim.

“Ka një reagim dhe paqartësi nga mjekët, por edhe një pakënaqësi realisht, që unë do ta quaja legjitime. Nuk e kuptova se ç’do të thoshte ky lloj testimi, kam pasur një takim me zëvendësministrin e Shëndetësisë, e cila më siguroi të paktën që ky testim nuk ka të bëjë me heqjen e licencave apo rrezikun e vendeve të punës, por ka të bëjë me identifikimin e mangësive që do të identifikohen gjatë testimit, për të rregulluar në përputhje me nevojat e mjekëve programin e edukimit të vazhdueshëm”, u shpreh Dine Abazaj, “Urdhri i mjekut”.

Në një deklaratë për mediat, Ministria e Shëndetësisë sqaron se testimi i mjekëve nuk cënon aspak procesin e edukimit në vazhdim. Nga ana tjetër, sipas Ministrisë, ky testim nuk ka të bëjë me rrezikimin e vendeve të punës së mjekëve, infermierëve apo laborantëve. Ai do të shërbejë si një fotografim i situatës aktuale të njohurive të personelit mjekësor, për t’i ardhur në ndihmë më pas një orientimi të saktë të edukimit në vazhdim, që mjekët, infermierët dhe laborantët duhet të ndjekin.

Top Channel