Ish-Kinostudioja bëhet Ministri e Kulturës

10/01/2015 00:00

Një shtëpi e re për kulturën. Nga kjo e shtunë, Ministria e Kulturës është zhvendosur në një tjetër ambjent, në fakt në një nga godinat më domethënëse të kulturës shqiptarë, në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Minstrja e Kulturës Mirela Kumbaro, pasi bëri një përmbledhje të zhvendosjeve të ministrisë në të kaluarën dhe rëndësisë që sipas saj i është mohuar vetë kulturës, vlerësoi riorganizmin e qeverisë Rama duke i dhënë kulturës vendase një ministri të dedikuar. Gjithashtu, ajo foli edhe për reformat që janë bërë gjatë një viti.

“Hapësira ku ndodhemi sot, ndërtesa, arkitektura dhe dekori janë skenat ku do të luajë sot e tutje rolin e rëndësishëm Ministria e Klturës. Jo vetëm si administratë, por si zemër institucionale. Jo vetëm me shkresa, por me aksione kulturore të thella. Jo vetëm me punonjësit e saj, por me bashkëpunëtorët e skenës së pavarur dhe ndërkombëtarë”, deklaroi Kumbaro.

Përpos hapësirave brenda godinës, për aktivitete do të përdoren edhe ambjentet e jashtme. “Oborri i pashëm, që do të administrohet nga MK, do kthehet në një park për art dhe medium. Për aktivitete kulturore, për ekspozita të hapura, ngjarje rinore, pa kufij gjinish dhe formash, madje edhe për ato më të guximshmet”, tha Kumbaro.

Ndërsa arkitekti Artan Shkreli bëri një historik të godinës. “Ky objekt është inaugururar më 10 korrik 1952. Është vepër e një arkitekti sovietik, e ndërtuar në frymën e neoklasicizmit që Bashkimi Sovietik e përqasi pas revolucionit”, tregoi ai.

“Ministria e Kulturës, me gjithë dinjitetin e saj, do të jetë përgjithmonë e ardhmja e këtij tempulli të ri”, shtoi më tej ministrja Kumbaro.

Top Channel