Mazhoranca e nis 2015-n në sulm, pikërisht duke prezantuar atë që duhej
të ishte pika e fortë e opozitës; hapja e dosjeve. Qeveria ka dalë me
një propozim konkret, të hartuar pas një viti pune intensive me
asistencën e gjermane.
Projektligji bazohet në ligjin gjerman, i përshtatur për realitetin shqiptar. Pikërisht kësaj teme iu përkushtua edhe Top Story i parë i këtij viti me gazetarin Sokol Balla.
Emisioni nisi me keqardhjen mbi ngjarjen e ndodhur në Paris, në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo”, ku 12 persona gjetën vdekjen. Të ftuarit Erjon Veliaj, Ministër i Mirëqenies Sociale, analistët Afrim Krasniqi, Skënder Minxhozi dhe Arjan Vasjari dënuan aktin duke thënë se terrorizmi nuk njeh fe.
Duke iu rikthyer temës, ligji i propozuar është shumë i fortë, i drejtë dhe transparent dhe qytetarët kanë të drejtë të kenë akses në dosjet, ashtu sipas modelit gjerman.
Në fakt për ligjin ekzistojnë disa shqetësime që qarkullojnë se ligji në përpjekje për të hedhur dritë mbi të shkuarën, mund të na prishë të tashmen, por sa qendrojnë këto shqetësime?
“Ligji është transparent dhe ne jemi të bindur që është një ligj i drejtë. Janë disa mite urbane që janë ngritur, dhe këto mite janë që këtu do të ketë vëllavrasje. Më thoni një rast kur një ish i përndjekur ka vrarë për dënimin që ka kryer. Avokati Spartak Ngjela s’ka kryer asnjë krim edhe pse i di të gjithë personazhet që kanë dëshmuar kundër tij, nuk ka kryer krim as Simon Miraka, po ashtu, Fatos Lubonja. Mesazhet nga të përndjekurit nuk janë mesazhe hakmarrëse, por mesazhe transparence. Është një moment fantastik për të mos qenë i vetmi vend që nuk e ka kryer këtë transparencë. Sot vec nesh dhe Rusia të gjitha vendet e tjera e kanë bërë transparencën. Vetëm dosjet e KGB dhe Sigurimit Shqiptar nuk janë hapur. E vetmja mënyrë për të zbuluar janë apo s’janë dosjet? Sa thellë ishte e përfshirë shoqëria jonë? Është t’i hapim, jo për hakmarrje, po për transparencë”, u përgjigj Ministri Erjon Veliaj.
Për ish të përndjekurin, Simon Miraka projektligji është i domosdoshëm, dhe pavarësisht rezervave që ka për këtë propozim, ai tha se shpresonte që propozimit të jetë serioz dhe të shndërrohet në ligj.
“Shpresoj të jetë një nisme serioze dhe kam besim, por jam i mendimit që politika duhet të largohet nga hapja e dosjeve. Për mua politika ka vetëm një detyrë, që Komisioni i Ligjeve të shqyrtojë projektligjin dhe ta votojë në parlament. Nuk më duket serioze të paraqiten dy projekte. Di që është një projekt i paraqitur nga shoqëria civile dhe mbështetur nga dy deputetë dhe studentët e Dhjetorit ‘90. Sa i përket hapjes së dosjeve, ky diskutim ka 25 vjet që bëhet. Ka ardhur koha që t’i jepet fund këtij diskutimi. Dosjet të hapen, të njohim të kaluarën dhe ajo që ndodhi të mos përsëritet më. Hapja e dosjeve është gjetja e njerëzve që janë internuar dhe personat që i internuan, ndërsa ligji i lustracionit ka të bëjë me ndalimin e njerëzve që kanë dënuar, internuar, spiunuar e vrarë që nuk duhet të jenë më në politikë, administratë”, tha Miraka.
Por për Ministrin Veliaj ligji për lustracionin duhet të mbërrijë në një moment të dytë, pas hapjes së dosjes. “Këtu bëhet fjalë për një punë që ka në bazë transparencën, jo hakmarrjen. Ky ligj është i rëndësishëm që të kalojë, se përndryshe do ishte propagandë. Vendimi ynë është që të bëjmë transparencë dhe më pas ligji për lustracionin le të kalojë testin në seancë në një moment të dytë”, tha ai.
Për analistin Afrim Krasniqi ky ligj i jep fund gjuetisë së shtrigave, por sipas tij, nuk do arrijë synimin e madh që është pajtimi kombëtar dhe shkëputjen nga e kaluara.
Simon Miraka këmbënguli se ligji për hapjen e dosjeve dhe ligji i lustracionit duhet të jenë bashkë. “E rëndësishmë është dekomunistizimi i vendit dhe kjo është mënyra konkrete që arrihet kjo. Kjo është plagë që na qendron mbi kokë dhe dekomunistizimi i vendit nuk mund të bëhet pa ligjin e lustracionit dhe ligje të tjera në funksion të kësaj”, tha ai.
Por Afrim Krasniqi deklaroi se një ligj i tillë është me pasoja. “Asnjë vend i Europës Lindore nuk u ka ndërprerë mandatet zyrtarëve me ligjin e lustracionit. Gjermania e bëri në vitin 1990 kur nuk kishte krijuar institucionet e reja akoma. Ne jemi të vonuar në këtë pjesë kemi institucionet dhe duhet të gjejmë një konsensus”, deklaroi ai.
Kundër propozimit të qeverisë ka dalë hapur Mesila Doda, e cila është njëra prej dy deputetëve mbështetës të një tjetër nisme, asaj të shoqërisë civile. Në një intervistë për Top Channel ajo do tregonte, sipas saj, ndryshimet mes dy propozimeve dhe akuzoi se ligji i propozuar nga mazhoranca synon kakofoninë e procesit.
“Ligji i paraqitur nga qeveria ka në qendër hapjen e dosjeve pa emra, me iniciale të fshira dhe nuk ka si qëllim bërjen e lustracionit, ja lë këtë në dorë institucioneve që duan ta bëjnë ose nuk duan ta bëjnë. Ligji i paraqitur nga shoqëria civile ka në thelb lustracionin, jo në përgjithësi, por aktivitetin e gjithsecilit. Mosndërprerja e mandatit kushtetues, respekton gjykimin 1 për 1 të personave dhe kemi një respektim të të gjitha argumenteve të Gjykatës Kushtetuese që gjykata ka dhënë disa vite më parë. Dua të rikujtoj që vetëm Gjykata Kushtetuese ka tagrin të shpallë një ligj kushtetues ose jo, persona të tjerë nuk duhet të marrin këtë tagër. Nismën e qeverisë e konsideroj si një shtojcë të panevojshme që kërkon me çdo kusht të pengojë një proces që duhet të ndodhë. Është mirë që të hapen dosjet, por në kushtet kur kemi një nismë të depozituar nga dy deputetë që kanë mbështetur shoqërinë civile. Cila është arsyeja që duhet të krijojmë këtë kakofoni me një nismë tjetër?”, deklaron Doda.
Për Ministrin Veliaj i gjithë debati zhvillohet brenda PD-së dhe kundërshtarët e ligjit janë vetëm brenda saj.
“Ka një konflikt të hapur në PD për këtë ligj. Mesila ka të drejtë sepse PD sot vetëm emrin ka demokratike, por është një parti e ish-sekretarëve. Respektoj nismën dhe nuk besoj që nisma është hileqare, sic ishte ajo e 2008-ës”, tha Veliaj.
Për analistin Skënder Minxhozi dosjet dhe pronat janë dy subjekte më të manipuluara në këto 25 vite. “Mendoj që ligji është një nismë e mirë dhe për t’u përshëndetur për atë që synon të bëjë, por mendoj se ka nevojë jo aq në mënyrën se si do të mbulohet, por se si do të zbatohet. Kemi patur shumë nisma që na është premtuar që do të hapim dosjet dhe kjo s’ka ndodhur asnjëherë. Ligji vetë do largojë gradualisht personat me probleme me të shkuarën”, tha ai.
Por si rregullohet aksesi tek këto dosje të regjimit nga ana e projektligji?
“Qëllimi i ligjit nuk është të bëjë lajm. Qëllimi i ligjit është të vendosë një sens hierarkie në kërkesa, ku prioritet kanë ish të përndjekurit, vetë të përfolurit, bashkëpunëtorët, katëgoria e tretë që është kategoria e aksesit mediatik, historik dhe akademik. Mediat mund të marrin përgjigje vetëm për thelbin e kërkesës, për studime historike etj. Po bëjmë këtë proces që të maturohemi me këtë proces, të dalim nga një gjueti shtrigash 25 vjecare”, tha Veliaj.
Analisti Arjan Vasjari tha se nëse bëhet ligji duhet rishkruajtur historia e tranzicionit pasi PD humb një betejë historike, pasi sipas tij, duhej ta bënte me kohë këtë që po bën e majta sot.
Për Afrim Krasniqin, si në 1996, ashtu edhe në 2008, e djathta nuk ka dashur asnjëherë që të hapte dosjet, por i ka përdorur ato për elektorat.
“E djathta nuk donte të hapte dosjet, ndërsa e majta ka marrë flamurin më të fortë të të djathtës për shkak të një angazhimi politik, për të forcuar pozitat e një brezi të ri brenda së majtës. Mua më rezultojnë 36 zyrtarë, mes të cilëve 3 deputetë që preken nga ky ligj, minimalisht nga një person nga 3 grupet parlamentare. Do jetë problematike për të kaluar në parlament. Me duket problematik edhe vetë brenda së majtës, vetë brenda partive të mazhorancës”, tha Krasniqi.
Për Ministrin Erjon Veliaj, angazhimi i vetëm politik i mazhorancës është: “T’i japim fund një skeme shantazhi 25 vjecare, të eleminohet. Kjo është axhenda jonë politike”.
Top Channel