Meta dhe Kryemadhi në gjykim të zakonshëm, avokati Cakrani: Do provojmë pafajësinë tonë
Fermerët e Komunës Zharrës kanë krijuar një kooperativë për rritjen e gjelit të detit. Ata synonin që mijëra shpendët t’i shisnin për festat e fundvitit 2014 ndaj konsumatorëve jo vetëm në Qarkun e Fierit.
Por, ndërsa hyri Viti i Ri, ata nuk kanë shitur asgjë. Dëmi është shumë i madh, rreth 150 mijë euro, dhe kjo – sipas rritësve të shpendëve – ka ndodhur për shkak të thyerjes së rregullave për importet.
Sipas tyre, një muaj para festave ndalohej importi i këtyre shpendëve për të ndihmuar prodhimin vendas, por vetëm në datë 29 dhjetor disa ton gjel deti është futur nga shteti grek, me kosto shumë më të ulët.
“Kemi tre vjet që i mbarështojmë zogjtë e detit, i kemi marrë të vegjël prej janarit dhe të gjitha shpenzimet deri më sot me drithrat që kemi mbjellë dhe ua kemi dhënë shpendëve, gjithçka kemi shpenzuar me këta gjela, çmimet e të cilëve nuk janë të lartë. Sot ne i japim me 400 lekë kilogrami, ndaj dhe shtetit i kërkojmë të marrë masa, sepse është gjithë ky dëm i shkaktuar”, tha një fermer.
“Morëm vesh se nga Kapshtica kanë hyrë mbi 20 mijë krerë në mënyrë të paligjshme. I kërkojmë ministrit dhe kryeministrit të vijnë e ta shohim gjendjen reale. Ishte dhënë një urdhër prej tij, që të mos futej mall nga jashtë, le ta verifikojë dhe të vijë të shohë edhe situatën këtu në terren”, thotë një tjetër fermer.
Fermerët, nëpërmjet kooperativës së krijuar që prej tre vjetësh, kultivojnë zogjtë e detit, të cilëve u shërbejnë gjatë gjithë vitit. Por këtë vit humbjet janë shumë të mëdha.
Top Channel