Korçë, “viktimat” e para të akullit, dëmtohen 6 persona

31/12/2014 00:00

Prej disa orësh rajoni juglindor ndodhet nën pushtetin e akullit, i cili solli edhe gjymtimet e para për banorët.

Gjashtë persona janë dëmtuar si pasojë e rrëshqitjes, ndërkohë që çdo cep i qytetit të Korçës është thuajse i padukshëm pasi është mbuluar nga një shtresë akulli dhe kurrkund nuk duket nga bashkia që hedh kripë.

Të dëmtuarit nga frakturat e ngricave nuk kanë munguar as një vit në qytetin e Korçës dhe në ditën e parë të ngricës të moshuarit dhe fëmijët janë viktimat e para të humbjes së ekuilibrit dhe pasojave të tij.

Por qytetarët e Korçës, të cilët në këto ditë acari janë më të predispozuar për të pasur edhe probleme shëndetësore. Shërbimi i urgjencës mbetet shpresa e vetme. Sipas mjekëve, në pak ditë këtu janë regjistrua 964 vizita ambulatore dhe në pak orë edhe 6 persona kanë kërkuar ndihmën e ortopedit pas rrëzimit në akull.

“Për sa i përket ndryshimit të klimës, mund të them se në këto dy tre ditët e fundit, me fillimin e reshjeve të dëborës, ka pasur raste të lënduarish, kryesisht mbi 65 vjeç. Këta persona kanë ardhur me dëmtime të lehta e deri në fraktura, por rastet e deritanishme kanë qenë të menaxhueshme”, është shprehur mjeku Kujtim Shabani.

Sipas të dhënave, pastrimi i qytetit nga bora dhe akulli është pjesë e buxhetit të bashkisë së qytetit me vlerën 60 milionë lekë dhe që realizohet nga një firmë kontraktore.

Top Channel