Ballist Morina personazhi i vitit. Njeriu i dronit, më i votuari i anketës së TCH

31/12/2014 00:00

Është Ballist Morina personazhi i vitit 2014, i cili mori numrin më të madh të votave në sondazhin e organizuar nga Top Channel në faqen e tij të internetit. Në vend të dytë vjen kryeministri Rama dhe në të tretin Kombëtarja e futbollit.

“Grupi i parë është ndikuar nga ngjarjet e ndeshje Serbi-Shqipëri dhe ngjarjet që e pasuan. I pari është ai që ngriti dronin në stadiumin e Beogradit dhe pastaj vjen Edi Rama, i votuar edhe nga Kosova. I treti është Kombëtarja e futbollit. Tek kategoria e dytë janë persona që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme”, deklaron webmasteri i Top Channel, Igli Gjelishti.

Janë tre prej tyre që kanë zënë vend në dhjetëshen e më të votuarve: Pandi Toçe, ose siç u cilësua në media “heroi i heshtur”, i cili humbi jetën duke shpëtuar nga mbytja atë të një fëmije.

Emanuela Pepkola Zaimi, krijuesja e Fondacionit Down Sindrome Albania dhe të një qendre terapie. Ajo u jep suport psikologjik nëpërmjet shoqatës prindërve që kanë fëmijë me të tillë sindromë, si dhe asistencë fëmijëve në qendrën e terapisë.

Gjon Dervishi, ish-biznesmeni që la gjithçka për t’iu dedikuar tërësisht vullnetarizmit. Nisur fillimisht nga një rast personal, ai ndërtoi në Tepelenë qendrën “Dora e Ngrohtë” në suport të personave me aftësi të kufizuara mendore.

“Ngjarja tjetër më e votuar është vizita e Papa Françeskut në Shqipëri”, saktëson Gjelishti.

Në këtë dhjetëshe janë edhe këngëtarja Elhaida Dani dhe kampionia e botës në xhudo Majlinda Kelmendi. Lista e plotë e 20 personazheve të vitit 2014 mund të gjendet në faqen e internetit të Top Channel, ku dhe organizohet sondazhi i cili zhvillohet tashmë prej dhjetë vitesh.

Top Channel