PD: Rama braktisi premtimet për shëndetësinë

30/12/2014 00:00

Partia Demokratike e sheh të përkeqësuar gjendjen në sistemin shëndetësor. Dhe sipas shefit të departamentit për shëndetësinë, Tritan Shehu, kjo do të thotë se pas një vit e gjysmë qeverisje, kryeministri Edi Rama nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e tij elektorale.

“Kryeministri, mbasi humbi besimin e shqiptarëve vazhdoi të spekullojë dje me mjekët së shëndetësia po bëhet “falas”. Kjo vazhdon të bllokojë çdo reformë frytdhënëse shëndetësore te ne. A ka shëndetësi “falas”? As nuk ka dhe as nuk mund të ketë. Rrugët e financimit janë ato që kanë qënë, përkundrazi me një shtim të pagesave direkte të popullsisë, veçanërisht për shtrimet. Niveli i financimit të sistemit shëndetësor është këtë vit nga më të ultit, 2.8% e GDP-së, kur premtimi ishte rreth dyfishi”, deklaroi Shehu.

Partia Demokratike i kërkoi kryeministrit Rama të tërhiqet publikisht nga koncepti i shëndetësisë falas, të pranojë se ajo është e parealizueshme dhe të ndërhyjë me masa urgjente për të shmangur gjendjen e përkeqësuar në të gjitha spitalet e vendit.

Top Channel