Hapja e dosjeve, Veliaj: Jo “gjueti shtrigash”, pastrim të institucioneve

30/12/2014 00:00

Projektligji për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit përfshin pastrimin e figurave, por jo hapjen e një fushate për të dëmtuar emra apo persona të caktuar.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, tha se ky projektligj, i cili është hartuar sipas modelit gjerman por duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias, do të ndihmojë fillimisht ish-të burgosurit politikë, të cilët kërkojnë të zbulojnë se çfarë u ka ndodhur atyre dhe familjarëve të tyre.

“Një pjesë e politikës fillon e shantazhon pjesën tjetër, duke kërkuar një ligj lustracioni me një target të qartë në mendje, për të përjashtuar nga jeta publike dikë. Realisht ky ligj ka parasysh së pari transparencën totale; së dyti një lustracion apo pastrim të figurës, ku çdo institucion duhet të marrë këto përgjegjësi. Ligji përcakton që, për shembull, Këshilli i Ministrave apo kryeministri duhet të kërkojë verifikimin e figurave të anëtarëve të kabinetit të vetë dhe të marrë vendime mbi këtë verifikim që do t’i kërkohet komisionit. Ministri, një drejtues tjetër, apo një ambasador i ardhshëm, do të kërkohet gjithashtu të verifikohet dhe më pas të marrë një vendim. Ne nuk mund t’i heqim dikujt të drejtën kushtetuese, duke qenë se gjykata është shprehur për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, ose për të punuar diku. Por, kryesorja është se publiku ka të drejtë të informohet”, theksoi ministri Veliaj.

Por si do të bëhet pastrimi i figurave? Çdo institucion ka të drejtë të kërkojë lustracionin e zyrtarëve që punojnë aty.

“Kjo lloj pastërtie figure që ne kërkojmë do të jetë në vendimmarrjen e çdo institucioni. Parlamenti do të duhet të marrë një vendim për deputetët, ndërkohë që ekzekutivët për stafet e tyre, sepse një Sekretar i Përgjithshëm apo një drejtor në një Ministri nuk është i zgjedhur, por i emëruar ose ka fituar një konkurs. Kjo do të thotë se procedura të tjera janë për persona të ndryshëm. Ndaj dhe këtu nuk duhet të ngatërrojmë dënimet kolektive ‘alla komuniste’ për të kërkuar dekomunistizim, por duhet të kërkojmë për ata që kanë pasur përgjegjësi individuale”, u shpreh më tej Erion Veliaj.

Janë me mijëra dosje, të cilat duhet të dixhitalizohen dhe inventarizohen. Një komision prej pesë vetësh, jashtë politikës dhe krejtësisht të pastër, do të drejtojë këtë arkivë, ngritja e të cilit kërkon një buxhet dhe një staf të specializuar.

Top Channel