Aleksandër Çipa – “Kundërshtoni shumë e binduni pak”. Ky është një varg i Wolt Witman në poezinë për shtetet te vëllimi i famshëm “Fije bari”.
Universaliteti i tij konstatohet sa herë flitet për demokracinë dhe liritë themelore të shteteve të vogla në raport me të mëdhenjtë. Mirëpo kumti i këtij vargu bëhet prezent edhe në përballjet e përditshme të qytetarit me shtetin dhe sidomos me qeverisjen.
Kohët e fundit, reagimet ndaj masave të qeverisë “Rama” kundër vjedhjes së energjisë elektrike, kundër paligjshmërisë dhe sidomos kundër ndërtimeve të paligjshme, kanë shkaktuar dy palë reagimesh. Të parët, janë ata që ndihen dhe ankohen për shkak të dhimbjes financiare që ndiejnë prej pagesës së neglizhuar të energjisë në vite, sikundër edhe ndaj reflektimit për të mos i lënë më shtetit fatura të pashlyera. Të dytët, fatkeqësisht janë të ndarë në dy grupe; në grupin e parë janë informalët, parazitët dhe abuzantët e një kulture antishtet dhe antiligj, të cilët nuk kanë jetuar vetëm në periferi apo zona të pakontrolluara, por edhe në qendra urbane. Këta mishërojnë një ndërgjegje antiurbane dhe nuk e njohin natyrën e të jetuarit në komunitet, ku vetërespektohet barazia e sjelljes dhe konsumit urban, ku përfshihet edhe pagesa korrekte e energjisë elektrike. Në grupin e dytë përfshihet dhe gjendet padyshim reagimi i opozitës politike, e cila nuk mbron grupin e parë, por e ka për natyrë të jetë avokate e së drejtës së qytetarit që penalizohet, ndëshkohet dhe vihet nën rrotën e shtypjes prej krizës financiare dhe pasojave sociale.
Në këtë mision të opozitës politike natyrisht që gjejnë strehë për të përfituar dhe për të shtuar ankesat e drejta dhe të padrejta edhe grupi i parë, edhe grupi i dytë. Kjo ngjet sepse Shqipëria, në hapësirën e vet administrative, ka udhëtuar përgjatë një kohe me anarki dhe kaos kontrasti. Paguan shumica dhe abuzon pakica. Disproporcioni ka mbërritur gjer aty sa shpenzimet e pakicës të papaguara të tejkalojnë mundësinë e shumicës për të mbuluar edhe koston e shpenzimeve të pakicës së pabindur. Kjo “pakicë” mishëroi gjatë periudhës së tranzicionit natyrën e vjedhëses së publikes dhe ndaj shtetërores, duke përdorur si alibi besnikërinë e militantizmin fanatik ndaj partisë në fuqi. Për shkak të kësaj tradite primitive, korrupsioni politik mund të favorizonte me votë një fitore elektorale, por degradoi dhe rrënoi përmes vjedhjes, qeverisjet dhe cilësinë e qeverimit në vend. Prej kësaj mënyre, politika qeverisëse rrënjosi kulturën dhe ndërgjegjen e korrupsionit, por njëkohësisht garantoi vetëshembjen. Ngjau përsëritshëm kjo e fundit, për shkak se në pikun e nevojës për të ringritur sadopak rolin dhe autoritetin e kalbur të ligjit, ndëshkohej prej rebelimit të masës apo turmës grabitqare, të korruptuar dhe faturë-refuzuese në shumë aspekte. Aleanca e masës së qytetarëve me këtë turmë nuk mënonte pasi varfëria dhe krizat ekonomike në vend kanë qenë në vlerë riciklimi më të lartë se rotacionet qeverisëse.
Kjo natyrë tranzicioni e shprehur në marrëdhënien atipike mes qytetarit që vidhte dhe që justifikohej me ngjyrën e përkatësisë partiake dhe me besnikërinë ndaj udhëheqësit, komunistizoi marrëdhënien e individit-qytetar me partitë politike dhe demokracinë. Të gjitha degraduan dhe koha e degradimit nuk duket se po resht. Ky proces vijon dhe shton e shton më tepër pesimizëm grupesh dhe kategorish që e kanë ndërgjegjen dhe respektin ndaj ligjit, por ndihen si pikë e rrethuar nga deti i informalitetit dhe turmat e korrupsionit, abuzivizmit dhe grupet lupenike që gllabërojnë asete, kapitale dhe shuma, por që prej kohësh kanë ditur të gjejnë rrugët e shtigjet e kapjes edhe të politikës.
Për këtë arsye, përballë kësaj nevoje për çlirim të politikës dhe përfaqësimit prej insipiensit (të paditurit, budallait që në rastin shqiptar bën diferencë se është i pasur në shumicën e rasteve) opozita fiktivisht ndërmori aksionin politik të bojkotit, duke shtuar në kushte me vonesë edhe kërkesën për dekriminalizimin e Parlamentit. Duke e njohur këtë mekanizëm nga pozita e bashkëkrijueses, por edhe si një hallkë në të cilën mund të mbështetet sipas saj forca e qeverisësit aktual, PD zgjodhi të këmbëngulë për nënshkrimin e një marrëveshjeje, zbatimi i së cilës jo vetëm që ka për të mbetur një detaj i harruar nga viti që mbyllet, por rrallë ka për t’u kujtuar edhe si dokument gjatë vitit 2015.
Sidoqoftë, opozita gjuhën dhe rrugën e kundërshtimit prej natyre i ka dhe duhet t’i mbajë si armë të forta të vetvetes dhe rritjes politike përballë kundërshtarit. Por sa dhe deri ku e drejta e kundërshtimit merr peshë dhe vlerë konstruktivizmi?! Është fjala për konstruktivizmin e munguar në kushtet e një Shqipërie që kohën e gjatë të tranzicionit e konsumon dhe e zgjat, si kohë të dobësimit të parreshtshëm të autoritetit të shtetit dhe sharlatanizim të demokracisë?!
Kundërshtimi në Shqipërinë e këtyre viteve ose ka qenë i pamjaftueshëm, ose i keqpërdorur. Ka ndodhur shpesh për arsye skenarësh dhe interesash të protagonistëve që uzurpuan demokracinë, qeverisjet dhe institucionet. Brendia e kundërshtimeve të sotme, në skenën publike, duket se nuk po i ikën kësaj tradite.
Kundërshtia për çmimin e rritur të energjisë, e artikuluar së pari nga PD, duket se nuk ka lidhje me aleancën apo avokatinë e shtresave që ndëshkohen masivisht prej çmimit të ri. Kjo kundërshti dhe kësi natyrash kundërshtimi nevojiten të vënë në lëvizje grupet sociale në nevojë, organizatat që e kanë rritur apo e mbajnë integritetin e tyre matanë fushatave partiake apo lëvizjeve me suporte politike e partiake. Në kësi kohësh kur debatet për çështje dhe shtrëngesa financiare duhej të ishin edhe më të vrullshme, në panelet e mediave nuk vlejnë më shumë kanakarët e paneleve partiake, por zërat dhe shprehësit e dhimbjes apo pësimit qytetar. Është koha që në jetën publike dhe atë sociale të shoqërisë të shfaqen e shprehen pa ngurrim e matanë përdorimesh partiake zërat që lidhen me fshatarët e varfër, me pensionistët dhe grupet e margjinave sociale, me invalidët dhe të papunët e shtuar.
Debati në fjalë ka nevojë për trajtim dhe përfillje ekspertësh dhe statisticienësh të cilët, në sytë dhe vëmendjen e publikut, kanë aftësinë të llogarisin dhe parashikojnë se si dhe sa rëndohet kostua financiare për energjinë e shpenzuar për çdo konsumator. Aritmetika dhe polemikat politike për shifrat janë gjithmonë demagogji dhe shmangie. Historia e këtij tranzicioni na e ka zhbërë besimin ndaj kësaj aritmetike që ofrohet prej qeverisë apo prej opozitës. Kjo ndodh sepse kundërshtia është keqpërdorur shpesh dhe bindja është shtuar, po fatkeqësisht, më shumë. Ky keqpërdorim dhe kjo zhbërje e thelbit të besueshëm të saj, kanë sjellë apoteozën ndaj së vërtetës dhe reales, ndaj protagonistit që meriton mbështetje dhe ndaj avokatit që ofron mbrojtje.
Top Channel