Andrea Stefani – Deri para pak ditësh, mediat e opozitës, të frymëzuara
si përherë nga lideri i përjetshëm Berisha, lajmëronin se Shqipëria
është në prag të shpërthimit të një revolucioni që do të përmbyste, si
në nisje të viteve ’90, diktaturën komuniste.
Veç këtë herë jo të Enver Hoxhës, por të Edi Ramës. Dhe jepeshin “prova” e “fakte” të kësaj diktature apo “shteti policor” që e kish bërë jetën e shqiptarëve aq të padurueshme në vendin e tyre sa kishin nisur të arratiseshin, si në rastin e Vlorës, duke rikthyer dukurinë e eksodeve masive. Dhe kur shumëkush që priste të ndodhte revolucioni dhe të shembej diktatura, nuk mund të mos mbetet i shtangur kur merr vesh se revolucionarët apo kundërshtarët e rreptë të diktaturës sapo kanë përfunduar një marrëveshje me të! Një marrëveshje me një qeveri diktatoriale për respektimin e “demokracisë”?! Ec e kuptoje po deshe!
***
Kur një parti opozitare deklaron se në vend është instaluar diktatura dhe se ai është në prag të revolucionit për rrëzimin e qeverisë, nuk i lë më hapësirë vetes për bisedime apo marrëveshje me pushtetin. Sepse si mund të ketë marrëveshje me një diktaturë! Një situatë diktatoriale ofron vetëm dy opsione: ose nënshtrimin ose lirinë, ose nënshtrimin, ose përmbysjen e diktaturës. Nëse vërtet në Shqipëri do të qe instaluar “diktatura e bijve” atëherë opsioni i vetëm i Berishës ishte t’ua bënte atyre, siç edhe pretendon, se ua bëri baballarëve. Pra, t’i rrëzonte. Megjithëse e vërteta historike është se Berisha jo vetëm nuk i rrëzoi, por i kuroi baballarët e byrosë politike. Rrëzimi i komunizmit erdhi nga faktorë të tjerë. Prandaj, kjo marrëveshja e Berishës me qeverinë, me ndërmjetësinë edhe të europianëve, rezulton vetëm si grotesku i radhës. Marrëveshja tregon se në Shqipëri s’ka diktaturë dhe se gjithë hakërrimet e “doktorit”, që i rri PD-së përherë te koka si një të sëmuri, kanë qenë vetëm lojë “si puna e komisarit”.
***
Çfarë ka ndodhur dhe po ndodh? Asgjë më shumë nga ajo që ka ndodhur dhe do të ndodhë sa kohë rrënuesi i demokracisë dhe shtetit në Shqipëri, Sali Berisha, do të vazhdojë të ketë veton në vendimet që merr Partia Demokratike. Si përherë, kur kalon në opozitë, Berisha radikalizon situatën politike, duke pretenduar se është rivendosur diktatura. Qëllimi i tij është që të shantazhojë qeverinë dhe ndërkombëtarët me destabilizim që ata të mos guxojnë t’i përvishen ndëshkimit të korrupsionit e krimeve që qeverisja e tij ka lënë pas. Kur ra nga pushteti në vitin 1997, organizoi bojkot të parlamentit, por edhe protesta, që kulmuan me grushtin e armatosur të shtetit të 14 shtatorit, për të bllokuar hetimet e krimeve të qeverisjes së tij, si tolerimin e skemave piramidale apo organizimin deri të operacioneve ushtarake për të shtypur me dhunë protestat legjitime të popullatës. Edhe sot, organizon bojkot dhe protesta, si shantazh mbi qeverinë Rama, për të bllokuar çdo iniciativë të saj për vendosjen e drejtësisë lidhur me krime të përbindshme si ai i Gërdecit apo edhe masakra e 21 janarit. Dhe, për fat të keq të Shqipërisë, ia ka arritur qëllimit. Të paktën deri tani. As fajtorët politikë të korrupsionit të përgjaktë të Gërdecit dhe as urdhëruesit politikë të masakrës së 21 janarit, nuk janë ndëshkuar nga drejtësia!
***
Ironike në gjithë këtë maskaradë është se vetë Berisha dhe kukulla e tij Basha, të cilin ua shet shqiptarëve si “kryetar” të PD-së, pikërisht këta që qëndrojnë në krye të një piramide krimesh qeverisëse, deklarojnë se kanë për qëllim të pastrojnë Parlamentin shqiptar nga të kriminalizuarit! Por është aksiomatike se luftën kundër krimit mund ta ndërmarrë vetëm kush nuk është i zhyer vetë në krim apo që është i aftë të provojë pastërtinë e duarve të veta. Ndryshe jo vetëm nuk mund ta luftojë krimin në Parlament, por do të jetë i prirur të përfundojë me të pazare që nuk mund të mos pjellin të tjera krime të rrezikshme në kurriz të demokracisë dhe shtetit. Prandaj, para se të flasin për pastrim të Parlamentit nga krimi dyshja Berisha-Basha duhet, më e pakta, të pastrojnë veten nga krimet e Gërdecit dhe 21 janarit. Ndërkaq, përparësia në luftën kundër krimit nuk është aq banale sa shpall me demagogji Berisha. Nuk është pra thjesht pastrimi i Parlamentit nga disa deputetë të kriminalizuar që, të gjithë e dinë, se janë edhe në listat e PD-së. Sot detyra është që e gjithë politika shqiptare, madje edhe shteti, të dekriminalizohet nga një ndotje 23-vjeçare. Dhe kjo nuk mund të bëhet me një marrëveshje sa qesharake dhe pa sens që, siç do të provohet shumë shpejt, do të bëhet strumbullari i sherreve, mosmarrëveshjeve dhe pazareve të reja. Kukan dhe Fleckenstein le të mbajnë shpresa sa të duan, por sigurisht do të zhgënjehen shumë shpejt. Pas pak muajsh, në mos javësh, do t’u duhet të negociojnë përsëri një “marrëveshje” të re. Ndërkaq, politika shqiptare dekriminalizohet vetëm kur të krijohen institucione të pavarura të hetimit dhe të gjykimit të krimeve të politikës, si “Gërdeci” apo “21 janari”, institucione (prokurori, gjykata) që nuk duan t’ia dinë për pazaret e politikës dhe nuk i tremben botës së saj. Pikërisht ato institucione të lira që politikanë si Berisha e K°, kanë 24 vjet që i pengojnë të mbijnë e të fuqizohen. Prandaj, marrëveshja e arritur mes PS-së dhe PD-së nuk është gjë tjetër veçse një tjetër gënjeshtër që Berisha të dalë kokëlart nga rrena e “revolucionit në shpërthim” për të hyrë me bisht ndër shalë në Parlamentin e “diktaturës demokratike”.
Top Channel