Marrëveshja që s’pati një duartrokitje

25/12/2014 00:00

Aleksandër Cipa – “Shpëtuam demokracinë”, kjo ishte deklarata e parë e ish-kryeministrit Sali Berisha pas seancës që shënoi mbylljen e bojkotit parlamentar disamujor të opozitës.

I pari natyrisht do të duhej të shprehej kryetari i opozitës, zoti Lulzim Basha. Është një qëndrim politik, i cili u mbyll për shkak të një marrëveshjeje të arritur nën negocim të dy përfaqësuesve të BE-së në orët e mesnatës së një dite para Kërshëndellave. Protagonisti politik i 25 vjetëve në politikën e vendit, nuk e ka humbur atë, edhe pse zyrtarisht zotëron vetëm mandatin e një deputeti opozitar. Ky protagonizëm i tij është real, edhe pse de jure ka pranuar të lërë postet drejtuese në politikë. Mirëpo, koha prej më shumë se një viti e largimit të zotit Berisha nga qeverisja dhe kryesimi zyrtar i PD-së, është një kohë që vërteton më së miri atë që u ka premtuar demokratëve në fjalimin e vet dorëheqës nga posti i kryetarit të partisë. “Do të punoj e luftoj sa të kem frymë.” Është një betim, të cilin pavarësisht nga mosha dhe vlefshmëria po e mishëron për çdo ditë e në çdo vendim politik të opozitës. Dhe pesha e ndikimi politik i tij brenda PD-së dhe aksioneve politike të saj është aq e dukshme dhe qartësisht e marrë me mend.

Marrëveshjen e mbrëmshme, të cilën shumica e qytetarëve të këtij vendi e nënvleftëson, për shkak të dyshimeve se u përdor për demagogji, prijësi shpirtëror i PD-së e konsideron “shpëtim të dytë të demokracisë”. Hiperbolizmi i tij na vë në atë qasjen e Sartorit mes së “dukshmes dhe inteligjentes”.

Vërtet e mbart këtë vlerë kjo marrëveshje apo pashmangshmërisht i duhet Doktorit ajo?

Kjo nuk është një pyetje retorike, por thjesht një qasje për të verifikuar se ky gëzim që deklaron politikani jetëgjatë i tranzicionit nuk fitoi dot një duartrokitje, qoftë edhe brenda Parlamentit, në të cilin opozita mungoi prej disa muajve. Brendia e kësaj marrëveshjeje pas pak ditësh, ka për t’u zhytur në harresën e parlamentarëve dhe të publikut. Ajo do të rikujtohet sipas të gjitha gjasave, sa herë protagonizmi i dukshëm e i padukshëm i Doktorit brenda PD-së ta përdorë për alibi apo justifikim për të ricikluar agresivitete verbale. Mund ta rikujtojë me atë pasion apo patetizëm sa herë do të ketë nevojë për të ushtruar presionin mbi këtë shumicë, e cila jep prova se jeton nën peshë të shtuar problemesh, por nuk e ka për gjë të mbivendosë edhe “kriza” që janë aq të vogla sa duken si pikla mbi krizën e madhe të ekonomisë, financave dhe realitetit social.

Në këtë realitet, opozita nuk po shpalos en block një gëzim për marrëveshjen e mbylljes së bojkotit. Brenda muajit të parë të vitit që troket, pra 2015-n, ajo ka për të qenë në një kapitull të ri politik, ku do të harrohen e tejkalohen brenda moskujtesës të gjitha pikat e kësaj marrëveshjeje, pasi kalendari elektoral për zgjedhjet vendore është sfidant dhe me vështirësi, të cilat shtohen prej përfshirjes së saj në skemat e diskutimeve apo projekteve që ndryshuan, për shkak të hartës dhe ndarjes administrative në vend.

Sidoqoftë, gëzimi i vetmuar i ish-kryeministrit për “shpëtimin e demokracisë”, vijon të mbulojë trishtimin që ofron brendia dhe niveli i demokracisë së brendshme në partitë tona. Kjo plagë e dukshme që i dhemb publikut, por jo udhëheqësisë partiake në vend, është kampioni më tronditës i rënies dhe shembjes së demokracisë e sistemit të saj në realitetin shqiptar. Në ligjërimin politik dhe atë publik në vend, gjithnjë e më rrallë përmendet termi demokraci dhe principet e saj. Kjo mungesë përbën një aspekt tjetër themelor të krizës, në të cilën ka rënë shoqëria dhe është zhytur politika e sidomos politikëbërësit në këtë vend. Gjithë antagonizmi bipartizan në skenën parlamentare dhe sidomos në skenën politike të vendit, në brendi të vet ka interesa të grupeve që janë pjesë e dy kampeve apo dy skuadrave të mëdha zotëruese. Mes tyre nuk ka mbetur hapësirë ku mund të shfaqet e shprehet protagonizmi apo loja institucionale e krerëve të dalë nga kushtetutshmëria dhe funksionalizmi i institucioneve të pavarura. Të tilla nuk ka më, jo sepse i ka zënë qeveria, por sepse ato nuk janë lëshuar dhe nuk janë bërë si në qeverisjen e djeshme ashtu edhe në të sotmen. Një pjesë e tyre janë nënshtruar me heshtje dje dhe disa të tjerë nën presionin e sulmimit me përdorim politik e situata incidentesh gjithherë të mundshme, nuk kanë guxim të bëhen qoftë edhe formalisht sot.

Marrëveshja e dy netëve më parë nuk është një triumf mbi një krizë, por thjesht ikje nga një zgjedhje, e cila as protagonisten sipërmarrëse nuk e nxjerr fituese e as palën e shumicës nuk e nxjerr humbëse.

Kësi aksionesh dhe lojërash politike janë tipike të klasës politike të tranzicionit, e cila pasi i tejkalon ato, as bilanc bën e as gjykime s’pranon. Në një lloj kuptimi, ky është bojkoti i fundit që ish-kryetari i PD-së, zoti Berisha, inicioi dhe mbajti në fuqi vetë, edhe pse zërin e paplotë të shpalljes së tij ia besoi kryetarit që vetëzgjodhi, zotit Basha.

Bojkoti i mbyllur pa duartrokitje dhe pa gëzimin që vlen sa një duartrokitje, mund t’i ketë vlejtur zotit Berisha. Mirëpo pavlefshmëria e tij gjer këtu dhe sidomos për mënyrën se si u mbyll, do të shprehet në një peshë të re ndikuese mbi rolin dhe sidomos përgjegjësinë që kryetari statutor i PD-së, zoti Basha, ka marrë përsipër. Marrëveshja e një teksti të ndryshuar e të dënuar për të mos u mbajtur mend pas pak ditësh u arrit duke mos marrë vlerën e një gëzimi për një grup e aq më pak të një gëzimi që shkakton entuziazëm apo duartrokitje politike.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA