Tadiç: Paqe me shqiptarët

24/12/2014 00:00

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, thotë se nëse shqiptarët dhe
serbët e gjejnë një zgjidhje të përbashkët për Kosovën do të jenë shumë
më të respektuar në botë dhe para bashkësisë ndërkombëtare.

Në një intervistë për Top Channel, ai thotë se nuk ka rrugë tjetër përveç shikimit të interesave të përbashkëta.

“Duhet shikuar një pamje më e gjerë. Mendoj se nga çdo konflikt ku janë përfshirë kombe të ndryshme mund të dilet me përfitime, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për bashkësinë ndërkombëtare. Ekzistojnë interesat e përbashkëta. Ju keni një bregdet të mrekullueshëm në Shqipëri dhe një potencial energjetik. Më vjen keq që nuk kam arritur të bind më shumë investitor serb të investojnë në Shqipëri. Kosova po ashtu është një treg i rëndësishëm për Serbinë dhe anasjelltas. Ka pasur shumë njerëz që kanë dhënë shumë për kulturën serbe. Serbia ka ndihmuar në ndërtimin e univerzitetit të Prishtinës. Por, kanë kontribuar në kulturë edhe njerëzit siç janë Bekim Fehmiu, Z. Petrovci dhe nga kjo periudhë unë e njoh Edi Ramën, që është një artist i vyer shqiptar”, tha Tadiç.

Ai duke kujtuar edhe bisedimet për Kosovën, por edhe faktin që nuk ka arritur ta zgjidh problemin e Kosovës, por edhe integrimin më të shpejt të Serbisë, thekson se bërja politikë shpesh nuk është e lehtë.

“Kam udhëhequr me Serbinë pas vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiç, gjë që ishte jo vetëm sfidë e sigurisë por edhe e vlerave. Vendi humbi kredibilitetin. Katër vitet e para të mandatit Qeveria i takonte partive kundërshtare sic ishte Vojisllav Koshtunica. Katër vitet e dyta kisha krizën ekonomike dhe deklaratën e pavarësisë së Kosovës që destabilizoi vendin. Por, kemi bërë politikën e pajtimit me shqiptarët, boshnjakët e kroatët në rajon. Kam kërkuar falje dhe më kanë kërkuar falje. Ne duhet t’i mbyllim faqet e rënda të historisë dhe modeli gjermano francez për serbët e shqiptarët është i përshtatshëm”, tha Tadiç.

Tadiç, e quan Ramën një mik të vjetër. Vizita e tij ka hapur një etapë të re, por nuk është dashur ndoshta të flas për Kosovën.

Top Channel