Në Minsk të Biellorusisë ka nisur një raund i ri bisedimesh që synojnë dhënien fund të konfliktit në lindje të Ukrainës, që deri tani ka lënë të vdekur rreth 4.700 persona.
Takimi, ku marrin pjesë përfaqësues të rebelëve pro-rusë, të qeverisë ukrainase, asaj ruse dhe të faktorit ndërkombëtar, pritet të fokusohet në tërheqjen e trupave dhe shpërndarjen e ndihmave.
Një armëpushim dhe një projekt për paqen u arrit në Minsk në shtator, por deri tani asnjë prej proceseve nuk është mbikëqyrur sa duhet.
Në prag të bisedimeve të fundit, parlamenti ukrainas votoi për të punuar drejt anëtarësimit të vendit në NATO, lëvizje kjo që nuk u mirëprit nga Moska zyrtare.
Ministri rus i Mbrojtjes, Anatoly Antonov deklaroi të mërkurën se lëvizja do t’i komplikojë më shumë problemet dhe akuzoi vendet anëtare të Aleancës se po përpiqen ta kthejnë Ukrainën në një vijë fronti të përplasjeve me Rusinë.
Megjithatë, në bazë të kritereve të zgjerimit të Aleancës, ka pak gjasa që NATO ta pranojë Ukrainën përsa kohë konflikti në territorin e saj mbetet i pazgjidhur.
Të dërguarit nga Ukraina, nga separatistët pro-rusë, Rusia dhe OSBE mbërritën në kryeqytetin biellorus pasditen e së mërkurës.
Negociatori i rebelëve, Denis Pushilin tha më herët për mediat ruse se, një raund i dytë bisedimesh do të mbahet të premten.
Bisedimet do të fokusohen në tërheqjen e armatimeve të rënda nga vija e frontit, shkëmbimi i të burgosurve dhe dhënia fund e bllokadës ekonomike ukrainase ndaj zonave të kontrolluara nga rebelët.
Sidoqoftë, qeveria e Kievit deri tani ka refuzuar të diskutojë rifillimin e përfitimeve ekonomike për ukrainasit në zonat e dominuara nga separatistët.
Bllokada hyri në fuqi pasi rebelët mbajtën zgjedhjet e tyre më 2 nëntor, ndërsa më herët gjatë vitit shpallën pavarësinë nga Kievi.
Top Channel