Rikthehen “skenat horror” në varrezat e Korçës

23/12/2014 00:00

Rikthehen “skenat horror” në varrezat publike të qytetit të Korçës, ku
është shënuar një tjetër rast i dyshimtë, por që policia thotë se e ka
kryer i njëjti person me probleme mendore, që la shënime fetare në një
arkivol metalik pak ditë më parë.

Burimet policore thanë se këtë radhë nuk bëhet fjalë për arkivol, por një qen i ngordhur, me kokë të prerë, i futur në një thes brenda të cilit ishin bashkëngjitur edhe disa fletë me mbishkrime fetare, është gjetur i groposur në një gropë të hapur për ceremoni mortore. Ka qenë roja i varrezave publike, Ilir Meti, i cili ka vënë re se diçka ishte hedhur në gropën e hapur dhe ka sinjalizuar menjëherë përgjegjësit e varrezave, e më pas shërbimet e policisë lokale.

Menjëherë pas mbërritjes së uniformave blu është konstatuar se bëhet fjalë për të njëjtin person, i cili disa ditë më parë kishte kryer të njëjtin veprim. Sipas burimeve nga Policia e Korçës mësohet se personi i cili kryen këto veprime monstruoze është Xhibrilelemine Keça, 55 vjeç, banues në Korçë, i cili vuan nga probleme mendore.

Po të njëjtat burime thonë për gazetën se brenda thesit, përveç qenit të ngordhur dhe mbishkrimeve fetare është gjetur edhe një granatë artizanale. Fillimisht blutë e qytetit juglindor janë alarmuar kur kanë parë se brenda thesit ishte e mbuluar një kufomë, por pasi kanë parë se bëhej fjalë për një qen pa kokë, gjithçka është qetësuar. Pas identifikimit të autorit është vendosur pushimi i hetimeve, pasi i dyshuari është person me probleme mendore. Materialet i kanë kaluar prokurorisë dhe prej tyre pritet të kërkohet izolimi i personit me probleme mendore në ndonjë institucion mjekësor, pasi gjatë kohëve të fundit është kthyer shqetësues, jo vetëm për organet e hetimit, por edhe për banorët e zonës.

Top Channel