Shqip, Krishtlindje në Shtëpinë e të Moshuarve

22/12/2014 00:00

Atmosfera festive ndjehen më së paku tek shtresat në nevojë dhe një e tillë është edhe mosha e tretë. Për të përcjellë sado pak atmosferë festive, por më shumë për të nxjerrë në pah problematikën e përditshme të të moshuarve, emisioni “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga u zhvendos në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë.

Në panelin e improvizuar ishin të ftuar, Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, Drejtorja e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bisha, gazetari i Fiks Fare në Top Channel, Ksenofon Ilia, Drejtorja e Marketingut të DigitAlb, Jonila Janku, pedagogu Erion Kristo, Luana Vjollca, prezantuese e Top Channel.

Në nisje të fjalës së tij, Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj tha se shtresa e të moshuarve të strehuar në azil do të ketë gjithmonë nevojë për mbështetje dhe vëmendje, e cila siç tha ai duhet të mbërrijë edhe në mënyrë vullnetare.

“Nuk besoj që Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë nevojë për para, por në një pjesë të madhe ky sistem bazohet tek vullnetarizmi atje. Shteti ka detyrimet, por duhet të pranojmë që shoqëria jonë ka ndryshuar. Nuk ka humbur traditën e familjes, por është në një situatë ku vetëm për lëvizjet e popullsisë janë shkëputur disa lidhje që ishin të forta në vitet ’90 e ‘80”, tha ai.

Të ftuarit kërkuan më shumë punë për ndërgjegjësimin e shoqërisë sa i përket ndihmës për të moshuarit, që për ministrin Veliaj jo domosdo duhet të jetë materiale, por më shumë të jetë kohore.

Pjesën e dytë panelit iu bashkua sociologia Entela Binjaku, e cila tha se ka një rritje të numrit të të moshuarve që kanë nevojë për ndihmë. Në këtë mendim ishte edhe ministri Veliaj.

“Unë gjykoj që ne nuk mund të jemi vetëm ofrues të shërbimeve rezidencial, së dyti i kemi dhënë dinjitet atyre që kalojnë ditën nëpër qendra sociale. Sapo kemi kaluar Urdhërin e Punonjësit Social, siç kemi urdhërin e mjekut, urdhërin e psikologut, urdhërin e farmacistit. Shteti janë njerëzit që në kohë dhe me paratë e taksapaguesve shërbejnë me dashuri. Është pasioni”, tha Veliaj.  

Pjesa e tretë nisi me rrëfimin e Ganiut, 83-vjeçari që strehohet në këtë shtëpi që prej 2006-ës.

“Unë personalisht ja kam kaluar mirë në këtë shtëpi, por kohët e fundit kushtet janë përmirësuar akoma më shumë”, rrëfen ai.  

Pedagogu Erion Kristo tha se është detyrim i Ministrisë, i shtetit edhe më i madh i shoqërisë për t’i kthyer buzëqeshjen kësaj grupmoshe në nevojë, që kërkon gjithmonë vëmendje dhe përkujdesje të veçantë.

Në këtë pjesë u fol edhe për pensionet. Pyetjet lidheshin me amnistinë për punonjësit në qytet, pas asaj në fshat.

“Kur dikush punon në qytet për një kompani, është detyrimi i kompanisë të paguajë sigurimet shoqërore. Kjo do të thotë që ne në fshat, kur bëjmë amnisti, ja bëjmë individit, kur bëjmë aministi në qytet ia bëjmë një kompania që nuk ka derdhur detyrimet për punonjësit e vet. Këta njerëz i kemi të gjithë të evidentuar dhe Kryeministri e tha që do të ndiqen penalisht”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA