Samaras, thirrje për konsensus kombëtar në prag të zgjedhjes së presidentit

22/12/2014 00:00

Dy ditë para raundit të dytë të zgjedhjes së presidentit nga parlamenti, kryeministri grek Antonis Samaras, në një fjalim televiziv, u ka bërë thirrje të hapur gjithë deputetëve për konsensus në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme dhe rikthimi tek destabiliteti.

Ai ka shpallur një hartë rruge në thelb të së cilës janë konsensusi për zgjedhjen e kandidatit për president Stavros Dhimas, reformatimi më i zgjeruar i kabinetit qeveritar me pjesëmarrjen në të të elementëve të rinj edhe nga partitë e tjera me orientim evropian, përfundimi i rishqyrtimit të Kushtetutës dhe zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare pas marrëveshjes me Trojkën, ndoshta dhe në fund të vitit 2015.

“Duhet të mos shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Duhet të ndalojë destabiliteti politik. Duhet që Greqia të ecë përpara drejt së ardhmes. Ne nuk mund të dalim nga një periudhë e pasigurisë dhe të hyjmë menjëherë në një tjetër”, theksoi kryeministri grek.
 
Mesazhi televiziv vjen në një moment kur situata politike është tejet e polarizuar në Greqi, sidomos pas denoncimit publik të një deputeti të opozitës se kishin tentuar ta korruptonin me qëllim që të votonte për Presidentin e Republikës. Për të mos shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi ka dështuar në raundin e parë, koalicionit qeveritar që ka mbështetjen e 155 ligjvënësve i duhen në raundin e dytë në 23 dhjetor, 200 vota nga 300 deputetët e Parlamentit, ose 180 vota në raundin e fundit që zhvillohet në 29 dhjetor.

“Është një detyrim kombëtar, e thote dhe logjika e përbashkët, që më parë të përfundojmë negociatat me huadhënësit dhe shqyrtimin e Kushtetuës në kushte sigurie dhe normaliteti dhe më pas, të blinduar ekonomikisht dhe politikisht, mund të gjejmë kohën e duhur për zgjedhjet kombëtare, madje edhe në fund të vitit 2015”, u shpreh Samaras.

Ka më shumë se një javë që përshkallëzohen çdo ditë e më shumë akuzat politike midis qeverisë dhe opozitës e cila kërkon zgjedhje të parakohshme duke u bërë thirrje nga ana e saj të gjithë deputetëve që nuk mbështesin koalicionin qeveritar të mos tremben nga dogmat e frikës dhe terrorit që po përhap sipas saj kryeministri dhe përkrahësit e tij.

Lideri i Syriza-s, Aleksis Tsipras, ka deklaruar se partia e tij, nëse vjen në pushtet, do të anulojë masat dhe reformat shtrënguese të imponuara ndaj Athinës nga huadhënësit dhe do të negociojë me këta të fundit për reduktimin e borxhit kolosal të vendit pa ndërmarrë hapa të njëanshëm. Sondazhet e shtypit të së dielës theksojnë një ngushtim të vogël të diferencës që kishin krijuar radikalët e majtë ndaj konservatorëve, ndërsa lideri më i përshtatshëm për postin e kryeministrit mbetet ende Antonis Samaras.

Top Channel