Kur komunisti “antikomunist” bën thirrje për revolucion!

22/12/2014 00:00

ANDREA STEFANI – Përse komunistët “antikomunistë” janë më të
rrezikshmit? Sepse të maskuar me nofkën e demokratit e përdorin
“antikomunizmin” për të shpartalluar demokracinë dhe lirinë.

Kinse luftojnë komunizmin, ata vënë në përdorim të gjithë arsenalin e bolshevizmit (kultin e individit të liderit të përjetshëm, kapjen e institucioneve të pavarura, propagandën e rreme, mashtrimin e opinionit ndërkombëtar e deri te mobilizimi i turmave për përmbysje me dhunë të pushtetit) në gjakimin e tyre të panginjshëm për pushtet. Sepse edhe kur maskohen si “demokratë” komunistët antikomunistë, nuk kanë si qëllim kryesor liritë e njeriut, por krijimin e një pushteti që nuk mund të ngjizet pa dhunuar ato liri. Prandaj edhe pas rënies së diktaturës komuniste, gjithë përpjekja e tyre është si të shfrytëzojnë përvojën e dhunës revolucionare bolshevike në kushtet e post-diktaturës. Si të bëjnë që kjo dhunë të kamuflohet dhe paraqitet si dhunë legjitime “demokratike”, si revolucioni bolshevik të paraqitet sikur është një “revolucion demokratik”. Ky është gjakimi dhe problemi që e shqetëson këto kohë, në fakt që kur ka rënë nga pushteti, komunistin “antikomunist” dhe tashmë, edhe autokratin e afishuar, Sali Berisha.

***

Dhe si po punon ky “demokrat” ta realizojë gjakimin e tij për t’u rikthyer në pushtet jo me votë, por me dhunë? Duke bojkotuar Parlamentin me pretekste për probleme që, në të vërtetë, zgjidhen shumë më mirë duke qenë në Parlament. Sepse, në fund të fundit, nuk kemi të bëjnë akoma me një qeveri që ka zbrazur armët duke vrarë protestues pra, që të ketë kryer një krim ekstrem që do ta bënte bashkëpunimin të pamundur. Sepse kur një qeveri vret qytetarët me plumb, krimi është provë e qartë se ajo ka degraduar në qeveri diktatoriale. Si degradoi më 21 janar qeveria e komunistit-antikomunist që tani po ulëret se në Shqipëri na qenka vendosur diktatura dhe u dashka bërë revolucion. Revolucion dhe përse? Që të risjellim në pushtet qeverinë që vrau pra, diktaturën!

***

Më 21 janar, komunisti “antikomunist” në pushtet u përpoq ta justifikonte dhunën kriminale të qeverisë së tij, duke shpifur se opozita kish tentuar një puç, një përmbysje me dhunë të armatosur të qeverisë, në thelb, një revolucion. Por të gjitha gënjeshtrat e tij u përgënjeshtruan nga faktet. Dhe për ironi të komunistit “antikomunist”, kabineti i tij degradoi në një qeveri që e meritonte ta rrëzoje me dhunë. Sepse në demokraci çdo gjë mund t’i falet një qeverie, por kurrë vrasja e qytetarëve me armë luftarake. Madje edhe kur kalon në opozitë. Sepse opozita nuk mund të jetë lavatriçja e pastrimit të krimeve të pushtetit të djeshëm. Të qenët në opozitë nuk të lan duart e përgjakura siç rreket të bëjë komunisti “antikomunist” Berisha.

***

Fatmirësisht, monitorimi i fuqishëm ndërkombëtar dhe pakënaqësia ndaj qeverisë vrasëse dhe të korruptuar, bënë që komunisti “antikomunist” të kundërvotohet si kurrë më parë më 23 qershor dhe ta lëshojë pushtetin paqësisht. Sepse, edhe manipulimet nuk pinin ujë. Aq masiv qe votimi kundër tij. Por largimi i tij me votë, krahas anëve pozitive, shfaq edhe disa kosto. “Antikomunisti” komunist mbeti kryelojtari në politikën e opozitës, ani edhe pse shpalli largimin nga posti i kreut të PD. Ai ruajti pozicione dominuese në institucione të rëndësishme të shtetit (Presidencë, Shërbim Informativ, prokurori, gjykata) që shpesh po funksionojnë si shkopinj në rrotat e qeverisë së re. Nuk është rastësi që korrupsioni dhe krimet famoze të qeverisë së djeshme, po mbeten fare pa gërvishtur. Jo vetëm kaq, por sapo qeveria “Rama” përpiqet të bëjë diçka për të çliruar këto institucione nga kapja, autokrati në opozitë dhe lakenjtë e tij, nisin angullimat për kapjen e institucioneve të “pavarura”, frenat e të cilave i mban akoma në dorën e tij komunisti “antikomunist”. Një farsë qesharake në grackën e së cilës kanë rënë edhe disa ambasadorë të perëndimit që frikohen për rrezikimin e institucioneve të “pavarura” që mbeten, në fakt, të varura prej komunistit “antikomunist” si në kohën kur qe në pushtet. Kështu, këta ambasadorë, shfaqen si leshko sepse duke mbrojtur “pavarësinë” e institucioneve, mbrojnë në fakt varësinë e tyre nga komunisti “antikomunist”! Prandaj komunisti “antikomunist” u tërbua kundër ambasadorit amerikan Arvizu, kur ky i fundit i përmendi urdhrat që institucionet e “pavarura” marrin nga SHQUP-i. Sepse kish denoncuar sekretin e varësisë së institucioneve të “pavarura”.

***

Sa qe në qeveri, komunisti “antikomunist” akuzoi opozitën për revolucion me dhunë që të justifikonte dhunën diktatoriale të qeverisë së tij. Tani që është në opozitë, e akuzon qeverinë për dhunë diktatoriale, në mënyrë që të justifikojë dhunën e tij revolucionare. Përherë problemi i Berishës ka qenë si të justifikojë dhunën e tij komuniste me “antikomunizëm”. Sa qe në pushtet, justifikim për dhunën e qeverisë kish dhuna opozitës. Tani që është në opozitë justifikim për dhunën e opozitës është “dhuna” e qeverisë. Por ç’paska bërë kjo qeveria e sotme që të stigmatizohet si diktaturë? Ka vrarë njerëz si më 21 janar? Jo! Po çfarë?! Marrim vesh se befas, brenda një viti, i paska zhytur shqiptarët në varfëri? Çudi, si arriti ta rrënojë kaq shpejt “parajsën ekonomike” që krijoi Berisha në 8 vjet? Tjetër krim diktatorial qenka se po shkatërron ndërtimet pa leje! Po a nuk e bën këtë “krim” çdo shtet demokratik! Këmbëngul që të paguhen dritat? Po a ka shtet demokratik në botë që nuk këmbëngul për një gjë të tillë? Dhe për shkak të krimeve të tilla “diktatoriale”, shqiptarët po ia mbathin nga Shqipëria si ia mbathën para 23 vjetësh me eksode nga diktatura komuniste. E po kjo e fundit është vërtet një provë e qartë se në Shqipëri është instaluar “diktatura”. E si mund të mos bëjë thirrje për revolucion komunisti “antikomunist”? Në fund të fundit, ai që ushtroi dhunë dhe vrau në emër të pushtetit si mund të mos ushtrojë dhunë revolucionare në emër të “lirisë dhe demokracisë”?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA