Menaxhimi i mbetjeve urbane, OSBE: Zbatoni legjislacionin

19/12/2014 00:00

Çdo vit Shqipëria prodhon afro 1.1 milion tonelata mbetje urbane, të cilat për shkak të keqmenaxhimit shkaktojnë një nivel të lartë ndotjeje.

Për të diskutuar mbi këtë problem dhe çështje të tjera mbi adnimistrimin e mbetjeve urbane dhe zbatueshmërinë e legjislacionit u mblodhën në Durrës përfaqësues të OSBE-së, Mjedisit, pushtetit vendor e deputetë.

Numri dy i prezences së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wulton tha se vendi ka një legjislacion të mirë mjedisor, po zbatimi i tij është i ngadaltë dhe kërkon bashkëpunim edhe të politikës.

Situata kritike dhe nevoja emergjente për ndërhyrje është pranuar edhe nga Ministria e Mjedisit. Zv.ministrja Oljana Ifti tha se menaxhimi i mbetjeve urbane është përgjegjësi e njësive vendore, ndërsa masa të ashpra administrative do të merren ndaj subjekteve që derdhin hidrokarburet në det dhe spitaleve për mostrajtimin e mbetjeve të tyre.

Ngritja e një agjencie për menaxhimin e mbetjeve urbane dhe e dhënies së kompetencave ligjore Entit Rregullator të Ujit për të përcaktuar edhe tarifat e mbetjeve urbane dhe trajtimit të tyre mbeten përparësi për vitin në vazhdim.

Në tryezë u tha se po shihet mundësia e lehtësimit të barrës fiskale për bizneset që riciklojnë mbetjet urbane, si dhe u propozua shtimi i programeve edukuese në shkolla për ndarjen e mbetjeve në funksion të riciklimit dhe uljes së ndotjes në ambjent.

Top Channel