Berat, firmoset kontrata për by-passin me kinezët e “Sinoidro”

19/12/2014 00:00

Bashkia e Beratit nënshkroi këtë të premte me kompaninë kineze “Sinoidro” kontratën tregtare për ndërtimin e by-passit të qytetit dhe rehabilitimin e lumit Osum.

Kontrata është nënshkruar në zyrën e krytarit të bashkisë Fadil Nasufi, mes këtij të fundit dhe drejtuesit të degës së kësaj kompanie për Europën, Jushi Shun.

Nënshkrimi i kësaj kontrate do të zgjidhë përfundimisht kaosin e krijuar ndër vite me trafikun në qytetin e Beratit, ku për faktin se ka vetëm një rrugë hyrje-dalje kanë qarkulluar për vite me radhë edhe mjete me tonazh të rëndë, duke dëmtuar strukturën e lagjeve muzeale Mangalem e Kala.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, kryebashkiaku Fadil Nasufi është shprehur se, vlera e këtij projekti kap shifrën 65 milionë euro për të tre komponentët e tij, që janë: ndërtimi i unazës së qytetit, ndërtimi i by-[assit dhe rahabilitimi i shtratit të lumit Osum.

Nasufi ka pohuar se ky projekt është shumë i rëndësishëm për qytetin e Beratit, jo vetëm për faktin se do të çlirojë përfundimisht lagjet muzeale nga dëmtimet, por dhe do të ndikojë në zhvillimin e turizmit, rritjen ekonomike si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Drejtuesi i kompanisë “Sinohidro” për Europën, Jushi Shun është shprehur nga ana e tij se, menjëherë pas aplikimit të kredisë që do të jepet nga qeveria kineze për këtë projekt, pas nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare me qeverinë shqiptare, në harkun kohor të 3 muajve do të fillojnë punimet për finalizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Top Channel