Nga Andrea Stefani – Kemi arritur prapë në një moment që na rrëfen, në mënyrën më të qartë të mundshme, se Sali Berisha në gjithë këta muaj bojkoti, nuk e ka pasur fare hallin te respektimi apo dhunimi i Kushtetutës, por vetëm si t’ia ngrejë këmbët përpjetë qeverisë “Rama” ashtu si ngre vetë dy gishtat.
Ironikisht, Gjykata Kushtetuese ka folur kundër gjakimit të tij dhe
partisë së tij, duke e shpallur kushtetuese reformën territoriale. Një
vendim që e ka nxjerrë zbuluar sharlatanizmin “kushtetues” të Berishës.
Sepse, pikërisht ai që deri dje ankohej nëpër botë se qeveria po shkel
vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vuri pupacin e tij Basha të deklarojë
shpërfilljen për vendimin e gjykatës, ndërsa vetë, po u fryn flakëve të
revoltës kundër qeverisë. Dhe ngjason me atë ujkun plak të përrallës që
ankohej se qengji po i turbullonte ujin, por që këtë e kishte vetëm si
pretekst që ta shqyente qengjin.
***
Si edhe në shumë raste të tjera në këto 20 e kusur vjet kur ka qenë në opozitë, ujku plak Berisha ka vetëm një qëllim, si ta gllabërojë qeverinë, që të rikthehet sa më shpejt në pushtet për të vazhduar sundimin e tij të korruptuar dhe të zhyer me njolla gjaku. Ky autokrat, nuk mund të pranojë rregullin e lojës së demokracisë, që i lë një qeverie të votuar katër vjet për të provuar aftësinë apo paaftësinë e saj. Nuk i jep kohë qeverisë as të dështojë. Në fakt, shihet qartë se i trembet suksesit të saj. Ndaj e shpik nxitimthi “dështimin” e qeverisë me lloj-lloj trukesh televizive si për shembull, duke e shfaqur Lulin e tij të vocërr tek qan bashkë me disa fermerë para një grumbulli mollësh të kalbura. Janë mollët e ndalueme migjeniane, mollët e sherrit të Berishës me të cilat, shpreson se do të ngrejë shqiptarët në “revolucion” për përmbysjen e qeverisë.
***
E gjithë kjo marri e stisur televizive nuk ka të bëjë fare me merakun për prodhimet e fermerëve. Po të qe kështu, Saliu dhe Luli i tij i vocërr, do ta kishin rregulluar këtë punë në 8 vjet qeverisje. Po e kanë pasur mendjen te sundimi dhe korrupsioni. Edhe sot aty e kanë. Prandaj u kthehen mollëve të kalbura. Edhe “merakun” për ata që s’paguajnë korrentin apo që kanë ndërtuar pa leje. Sepse rreket të përdorë, për t’u rikthyer në pushtet, zemërimin që shkakton veprimi i ligjit te të gjithë ata që janë mësuar, nën “qeverisjen” e tij të jetojnë duke shkelur ligjin. Dhe për më keq, është aq i paaftë në qeverisje, sa e ka degraduar Shqipërinë në shtetin unikal në botë që bashkon si me magji dy të papajtueshme, sundimin me kaosin, autokratizmin me rrumpallën!
***
E meqë nuk duron dot ca vite në opozitë sikundër urdhëron demokracia, pra me që e ka me nxitim, nis e trillon realitete dhe “fakte” mbi nevojën e përmbysjes së “diktaturës komuniste”! Beson se është e mjaftë që ai apo lakenjtë e tij, të hapin gojën dhe shqiptarët e bota do të besojnë gënjeshtrat që vjellin. Sepse Berisha, ka një besim absolut te forca e gënjeshtrës. Po të kishte mundësi do ta ringjallte Enverin që ta rrëzonte përsëri. Në fakt po e tenton një “mrekulli” të tillë. Zoti ringjalli Krishtin, Saliu ringjall diktaturën. Sepse shkatërrimi i ciklit normal të ndërrimit të pushtetit me votë një herë në katër vjet, një shkatërrim që të justifikojë deri edhe dhunën (siç e bëri edhe më 14 shtator 1998), kërkon që në pushtet të jetë një qeveri diktatoriale. Mundësisht komuniste. Dhe kur ajo nuk ekziston, Saliu e shpik. Prandaj përvesh mëngët që ta risjellë komunizmin në pushtet me … Facebook! Dhe shkruan e kaçashkruan se Rama po rehabiliton Enver Hoxhën, se paska dekoruar në fshehtësi Zonjën e Zezë (e ku është gjë vrasja e protestuesve para këtyre krimeve të Ramës?!), dhe të tjera përralla. Për të ardhur më në fund aty ku i djeg miza, për t’u bërë thirrje shqiptarëve që të ngrihen në revoltë (fjala revoltë ka kuptimin e aksioneve të dhunshme kundër një qeverie) që të përmbysin bijtë ashtu si përmbysën baballarët. Na duhet një tjetër “20 shkurt”, shkruan Berisha, që do të thotë se duhet ta përmbysim Ramën si përmbysëm 23 vjet më parë Enverin dhe Ramizin pra, diktaturën komuniste. E vërteta është se kërkon të përmbysë me dhunë demokracinë në Shqipëri, ky ujk i vjetër i komunizmit i veshur me lëkurë demokrati!
***
Ngjason pa fjalë jo vetëm me ujkun e përrallës, por edhe me Don Kishotin që mullinjtë e erës i merrte për kuçedra e dragonj. Ama i merr të keqen marrisë genuine dhe fisnike të Gjizotit marria e tij e djallëzuar antishtet! Dhe prapa mbi gomar i shkon, në rolin e Sanço Pançës, i gjithë grupi parlamentar. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se këta të fundit, e shohin se qeveria Rama i ngjason diktaturës enveriste aq sa mullinjtë e erës kuçedrave. Dhe që tek-tuk, ia hedhin ndonjë fjalë plakut të pushtuar nga amoku i pushtetit. Edhe ngaqë kanë frikë se mos humbasin karriget e deputetit, për shkak të kuturisjes së tij, për të mbetur edhe më jashtë Kuvendit. Por ai s’dëgjon e s’dëgjon nga ai vesh. Truri i tij i ndezur shquan vetëm “Diktaturën komuniste” që duhet përmbysur me çdo kusht. Një diktaturë komuniste më e papara në dynja. Sepse është kandidate për në BE dhe prej vitesh anëtare e NATO-s!
***
Nëse nuk ke ndërmend të respektosh vendimin e gjykatës atëherë është hipokrizi, madje mashtrim, të ankohesh pranë saj. Sepse nuk është aspak e hijshme, as e ndershme, as në frymën e shtetit, që të ankohesh në gjykatë dhe ta pranosh vendimin e saj vetëm kur ai është në favorin tënd. Është njësoj si të luash loto dhe ta pranosh rezultatin vetëm kur fiton. Po kush e toleron këtë padrejtësi? Nëse nuk ke besim te gjykata nuk i drejtohesh fare asaj. Por nëse i drejtohesh, duhet të pranosh vendimin. Ose të japësh prova të korruptimit të gjykatës. Dhe kur themi prova, nuk kemi parasysh “fakte” të shpikura me fjalë kazani, siç Berisha e ka zakon. Por Berisha nuk i ka këto fakte. Prandaj ka vendosur t’i drejtohet revoltës për përmbysjen e një qeverie të dalë nga vota e lirë. Dhe meqenëse e sheh se përralla e komunizmit nuk po funksionon sa duhet, i drejtohet pakënaqësisë për rritjen e çmimit të naftës, që në fakt është ulur. Në këtë përpjekje kundër demokracisë, ky Don Kishot i komunizmit ua kalon edhe komunistëve vetë. Sepse ata, të paktën, e dinin që për të realizuar një revolucion duhet të ekzistojë edhe një trallisje a pakënaqësi masive që e quanin “situatë revolucionare”. Saliu nuk ka nevojë ta presë një situatë të tillë. Me besim të patundur tek aftësitë çudibërëse të gënjeshtrës dhe me gjakimin për të mposhtur demokracinë, ai e shpik atë. Për … para!
Top Channel