Samiti i Beogradit, Kina do investojë 10 miliardë euro

16/12/2014 00:00

Samiti i Kinës me vendet e Evropës jug-lindore ka mobilizuar gjithë sistemin shtetëror të Serbisë. Për organizimin e tij çdo person që do të kryejë çfarëdo veprimi ka kaluar nëpërmjet verifikimit të sigurimit të shtetit, ndërsa mbi 7 mijë policë do të kujdesen për këtë samit, në të cilin merr pjesë edhe kryeministri, Edi Rama.

Millivoje Mihajlloviç, shef i kabinetit për mediat në qeverinë serbe, thotë se për gjithçka është punuar në detaje.

“Janë 16 kryeministra nga 17 vende, do të marrin pjesë mbi 500 kopmani me mbi 1.200 njerëz. Në delegacionet shtetërore janë rreth 1 mijë njerëz, rreth 1.100 gazetarë të akredituar dhe bashkë me ata që punojnë në organizim, samiti ka rreth 6.600 persona”, ka thënë Mihajlloviç.

Ai ka theksuar se përveç politikës, ky samit ka edhe një rëndësi ekonomike.

“Ky samit është i rëndësishëm për Serbinë, por edhe për vendet e Evropës qendrore dhe lindore. Kina ka premtuar 10 miliardë euro investime në këto vende dhe rëndësia ekonomike është e madhe pasi përfshin shumë investime”, ka nënvizuar Mihajlloviç.

Kina në Serbi ka përmendur të jetë prezente me projekte të infrastrukturës dhe ka ndërtuar një urë të madhe që do të inaugurohet gjatë samitit.

Top Channel