Vendi nga vjen uji i kryeqytetit…

15/12/2014 00:00

Qafë-Priska mbetet pas e bashkë me të edhe rruga. Ajo ashpërsohet së
tepërmi e nga një aks normal kthehet në një shkarravinë që dredhon mes
malesh.

Krahina e Bendës, nga ku drejtohemi shtrihet gjerazi nga Qafë-Molla deri në Malin me Gropa e tejmi deri në Qafë-Shtamë. Përbrenda trupit të saj mban 12 fshatra që janë sa afër, aq edhe larg njëri-tjetrit. Bukuritë natyrore i dallohen kudo sidomos në pjesën e livadheve të Selitës që me një infrastrukturë të denjë do të përbënin një resurs të jashtëzakonshëm turistik.

Nga kjo zonë siç duket edhe nga emri vjen burimi i famshëm i Selitës që  prej kohësh ka qenë furnizuesi kryesor me ujë në rubinat e kryeqytetit. E megjithatë fshati duket ende larg, ndryshe nga ç’tregon harta.

Kilometrat janë rreth 35, por duken 10-fish kaq. E nuk ka mbaruar sepse për të arritur në fshatin Selitë Mal të kryeqytetit duhet bërë edhe një rrugëtim i gjatë në këmbë. Në Shqipëri jetohet edhe kështu, edhe pse shumë afër Tiranës.

Rrugëtimi në këmbë zgjat shteg pas shtegu më shumë se 40 minuta deri në shtëpitë e para të fshatit që ka mëse 250 banorë nga më shumë se dyfish dikur. Mjafton një pamje e parë për të kuptuar jetesën e vështirë ulur ndër shtëpitë që duken po aq të vjetra sa edhe shekujt që mbart kjo krahinë mbi shpinë. Ashtu si banorët që nuk dinë vërtetë nga t’ia fillojnë.

“Si jane bejne banoret ja lufte me mbijetesen . sa me mbajt shpirtin gjallë”, thotë Asllan Nela, banor i zonës

Sa më shumë të hysh në brendi të Selitës, aq më shumë pamundesi do të prekësh..Duket e pamendueshme që pas shpatullave të kryeqytetit të fshihen realitete të tilla.

“Me pas një të sëmurë na bie me dal një orë e gjysmë në rrugë kryesore që i themi ne në Qafë-Mollë. Me barrelë s’ka, ose me hajvan, kafshë”, shprehet Sadik Nela.

Katër vetë jetojnë në një shtëpi, në një ngrehinë ku edhe Migjeni do e kishte të vështirë të shprehte varfërinë. Ndoshta nuk janë sytë e jeshiltë si tek Poema e Mjerimit, por janë megjithatë thinjat e një nëne që shfaqet si një legjendë e kohëve të shkuara.

“Ne jemi fukarenj. Nuk kemi një të ardhur gjëkundi. Në daç të dalin, në daç të mos dalin ne ato kemi. Kemi nja 10 bagëti dhe shesim nga një qingj, nga një kec dhe merre ha një çapë bukë. Tjetër gjë s’kemi ne”, rrëfen Zyra Nela.

Toka për t’u marrë me bujqësi është një grusht, disa rrotullohen me pak blegtori, ndërsa të tjerë përpëliten me ndihmë ekonomike.

“Tokën e punojmë me mushka, si në kohët e përparme. Mushkat me plug. Ja keshtu e punojmë tokën ne”, deklaron Shpetim Dervishi.

“Çuni im merr asistencën në Zall Bastar dhe asgjë. Pension unë s’kam. Asgjë!”, deklaron Shefiqe Dervishi.

Banorët janë më shumë se mikpritës me krenarinë e shpirtin që i karakterizon mes problemeve që ju kanë marrë frymën.

“Ne miellin e marrim atje me kafshë. S’punon makina këtu. S’ka ku punon. Shumë vështirësi ka fshati, shumë, shumë, shumë për hesapin tim”, shprehet Myrteza Kaloshi.

Për shkak të largësisë, fshati ka plot katër lagje, dikur ka pasur edhe tre shkolla. Një shkollë, që sot duket terësisht e braktisur dikur kish 120 nxënës dhe mëse 12 mësues, laborator kimie e biologjie. Sot nxënësit kanë mbetur 12, ndërsa sa i takon gjendjes së shkollës ajo nuk do koment. Shkolla në lagjen tjetër dikur me katër klasa, sot është mbyllur. Ndërsa shkolla e tretë në një tjetër pjesë të fshatit ka mbetur me vetëm katër nxënës. Bilanci i përgjithshëm i harresës tregon se nga 170 nxënës në tre shkolla dikur, sot janë vetëm 16.
 
Historitë njerëzore nuk kanë fund në Selitë Mal. Shtëpia e familjes Nela u dogj vetëm pak kohë më parë, bashkë me të shkuan jo vetëm sendet shtepiake, por edhe rezervat ushqimore për këtë dimër. Tashmë familja jeton me cikërrima në shtëpinë e një të afërmi të larguar.

“Asnjë të ardhur s’kemi, burrin ma kanë hequr nga puna dhe asgjë s’kemi. Sakrifica! Do shes ndonjë viç, ndonjë gjë. Fasulja e gjërat m’u dogjën të gjitha, gjithçka. S’kisha asgjë për sivjet, për këtë vit”, deklaron Drita Nela.

Një tjetër rrugëtim i gjatë e i lodhshëm në këmbë të drejton në lagjen më të poshtme.

Këtu banorët kanë sjellë një shteg të vogël me shpenzimet e tyre. Për shtet nuk bëhet fjalë. Me forcat dhe kursimet e jetës ata kanë bërë të mundur të paktën mbërritjen e një makine të lartë, asgjë tjetër. Edhe pse e dinë që kushtet atmosferike dhe rrëshqitjet e tokës po gërryejnë edhe atë copëz frymëmarrje.

“Unë si Mustafa , unë si shtëpi për dy çunat kam paguar 500 mijë lekë . kështu paguam që të gjithë”, rrëfen Mustafa Kacani.

Gjithçka është pasojë e mungesës së rrugës, mund të duan të bëjnë diçka, por nuk munden , të tregtojnë diçka tjetër, por nuk ia vlen, Dikush të kthehet, por ku?! Selitë Mali duket sikur është në fund të botës.

“Për hir të këtyre problemeve dhe këtyre vështirësive, sot treçereku i fshatit kanë ikur. Kanë mbetur shtëpitë si gërmadha. Ata banorë që kanë mbetur, kanë mbetur pa mbështetjen e njëri-tjetrit, por edhe pa mbështetjen e shtetit dhe qeverisë. Por jam i sigurtë që po të kishin mundësi, sidomos transportin, rrugën shumë banorë të këtij fshati, ish-banorë të këtij fshati, do riktheheshin prapë. Dikush me bujqësi, dikush me blegtori do ta nxirrnin veten dhe do rregullonin ekonominë e tyre. Pra afër jemi dhe larg jemi”, shprehet Mehdi Hoxha.

Janë vetëm 7 kilometra rrugë, aq shumë për këta banorë dhe aq pak për një fuqi madhore që duhet të mendojë edhe për ta. Rrugë, arsim, shëndetësi, veç kaq për një jetesë normale si gjithë të tjerët. Asgjë tjetër, veç një mundësi për të jetuar.

Top Channel