Propozimi i qeverisë së Maqedonisë për stemën e re shtetërore ka shkaktuar debate dhe përplasje në mbledhjen e fundit të kryesisë qendrore të partisë shqiptare në pushtet, BDI.

Mediat në Shkup raportojnë se shumica e anëtarëve të kryesisë partiake, përfshirë këtu edhe disa deputetë kanë kundërshtuar propozimin për stemën e re, që është e ngjashme me logon e partisë maqedonase VMRO-DPMNE.

Madje, kundër propozimit për stemën e re ka dalë edhe ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, i cili ditë më parë e kishte mbrojtur atë duke thënë se stema përmbante edhe elemente shqiptare.

Mësohet se ministri Jashari ka ndërruar mendje dhe ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen nëse stema e re miratohet. Mediat raportojnë se, një kundërshtim i tillë ka qenë i papritur për liderin e partisë, Ali Ahmeti, i cili ka kërkuar mbështetje për stemën e re.

Por këto informacione nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga BDI-ja. Nga kjo parti kanë njoftuar shkurt se në mbledhjen e fundit të kryesisë qendrore është konstatuar nevoja për ndryshim të stemës aktuale, për t’u shkëputur nga e kaluara komuniste e vendit dhe është theksuar nevoja që kjo të bëhet në konsultim më të gjerë shoqëror.

Ndërkohë, lidhur me propozimin e qeverisë për stemën e re ka reaguar edhe partia Besa, që u themelua muajin e kaluar. Të rinjtë e kësaj partie, duke ironizuar me qëndrimin e ministrave shqiptarë, të cilët ditë më parë mbështetën propozimin qeveritar për ndryshimin e stemës, kanë premtuar se do t’i dhurojnë secilit ministër të BDI-së, por edhe liderit të kësaj partie, nga një stemë të re me luan për të stolisur zyrat e tyre.

Propozimi i qeverisë për stemën e re të Maqedonisë shkaktoi reagime të shumta. Historianët shqiptarë thonë se ky simbol, që në qendër do të ketë luanin dhe një kurorë në pjesën e sipërme, nuk përmban asnjë element shqiptar.

Top Channel