Shkup, studentët kundër reformës së qeverisë

10/12/2014 00:00

Mijëra studentë për rreth dy orë kanë protestuar nëpër rrugët e Shkupit kundër zbatimit të provimit shtetëror në universitete.

Përmes kësaj proteste masive, studentët kanë dërguar mesazhe të qarta se janë kundër reformave në arsim të paralajmëruara nga qeveria.

Në to parashikohet që studentët në fund të vitit të dytë dhe të katërt t’i nënshtrohen provimit shtetëror, që do të kryhet nga komisionet e Ministrisë së Arsimit.

“Kjo është një politikë joparimore në arsimin e lartë. Këto reforma që paralajmërohen janë eksperimentale dhe pasojat do t’i ndjejnë studentët”, u shpreh një prej protestuesve.

“Reformat nuk do të përmbushin pritshmërinë dhe nuk do të kenë sukses. Këto të ashtuquajtura reforma Ministria e Arsimit do t’i përdorë për t’iu kundërvënë universiteteve”, tha një tjetër.

Protestës iu bashkuan edhe studentë shqiptarë, të cilët thanë se zbatimi i provimit shtetëror cënon autonominë e universiteteve.

“Jemi kundër provimit shtetëror sepse dija nuk mund të testohet vetëm me një provim, pasi studenti punon në mënyrë të vazhdueshme dhe mundohet t’i kalojë provimet gradualisht, një nga një”, tha një prej tyre.

“Ky marsh do të ndikojë në mënyrë pozitive që të mos sillen reforma të cilat nuk janë të përshtatshme për arsimin në Republikën e Maqedonisë”, tha një tjetër.

Marshi i qetë studentor, që nisi nga Rektorati i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, kaloi para Parlamentit dhe përfundoi para godinës së qeverisë.

Kjo është protesta e dytë brenda një muaji dhe studentët paralajmërojnë se nuk do të ndalen deri sa qeveria të heqë dorë nga provimi shtetëror.

Ministria e Arsimit, përmes zbatimit të provimit shtetëror, pretendon të kontrollojë kualitetin e punës së universiteteve dhe njohuritë e studentëve.

Top Channel