
Embargo ruse për prodhimet bujqësore shqiptare ka goditur rëndë fermerët
kryesisht ata të Myzeqesë. Deri disa javë më parë ata eksportonin deri
në 1.6 tonë prodhime në ditë dhe aktualisht ky prodhim mbeti stok ose
shitet me çmime të ulëta në tregtun vendas.
Kjo ndodhi pas vendimit të Qeverisë ruse kundër Shqipërisë, për shkak se ata zbuluan një skemë mashtrimi që kalonte përmes Shqipërisë, produktet e vendeve të BE-së.
Në kundërpërgjigje te embargos europiane, Rusia bllokoi të gjitha importet e prodhimeve bujqësore nga vendet e BE-së. Por, mashtruesit gjetën rrugën duke kamufluar prodhime italiane, greke, spanjolle, si fruta-perime të Lushnjës, Divjakës apo zonave të tjera në Shqipëri.
Sipas dëshmive të besueshme, thuhet se një grup eksportuesish merrnin sasi të vogla prodhimi nga Shqipëria, të shoqëruar me dokumentet e certifikatës fitosanitare, dokumentin nga Dhoma e Tregtisë së qarkut,ku shënohet origjina e mallit, si dhe Kodi i Fermerit. Më pas ndryshoheshin vetëm të dhënat e sasisë së mallrave dhe prodhimet europiane paketoheshin me mbishkrimin ‘Made in Albania’.
Këto dokumente, si rregull dorëzohen në Drejtorinë e Bujqësisë në dogana dhe një kopje dërgohej në Rusi. Firmat eksportuese të produkteve bujqësore të vendeve të Bashkimit Europian nga Shqipëria, dyshohen se kanë korruptuar mjekë veterinerë pranë Drejtorive të Bujqësive në këmbim të certifikatës fitosanitare.
Sipas burimeve, dyshimet kanë nisur qëkur sasia e frutave, si molla, kivi, nektarina, mandarina etj që hynë në tregun rus, ishte më e madhe se sa sasia që parashikohej të shkonte nga Shqipëria.
Por kjo skemë hidhet poshte nga Drejtuesit e Bujqësisë në Lushjë. Ata thonë se në këtë skemë janë futur edhe tregtarë nga Çekia, që mendohet se kanë falsifikuar certifikata fito-sanitare të Shqipërisë dhe kanë produkte bujqësore nga vendi i tyre me këto certifikata.
“Eshtë viti i parë që Lushnja eksporton produkte perime dhe zarzavate në Rusi. Sasia e eksportit në Rusi nuk është se ka qe shumë e mëdha, por është ende herët për të thënë nëse është ndjerë apo jo kriza, sepse embargo ka nisur vetëm para një dite”, thotë Agim Rrasa, drejtor i Bujqësisë në Lushnjë.
Situata në tregun e shumicës së prodhimeve bujqësore në Lushnjë e Divjakë nuk është aspak e mirë, për shkak se ka shumë prodhim dhe tregtarët që do të conin ngarkesat në Rusi nuk kanë ardhur më.
Një grup nga Ministria e Bujqësisë është nisur në Rusi, së bashku me gjithë dokumentacionin e eksporteve, në një përpjekje për të zhbllokuar situatën e krijuar.
Top Channel