Qeveria trashëgoi një sistem energjitik në kolaps dhe për ta nxjerrë këtë sistem nga kriza ka ndërmarrë një sërë masash, si aksionin kundër lidhjeve të paligjshme, uljen e humbjeve në rrjet, një skemë pagese me këste për të gjithë debitorët ndër vite, heqjen e fashës prej 300 kilovat, që e quan abuzive, ndërkohë që vetë kompanitë e sistemit kanë dorëzuar tek Enti Rregullator Elektroenergjitik kërkesën për rritje të çmimit.
Cila është gjendja e këtij sektori? A do ta nxjerrin këto masa nga kriza? A do të ketë rritje të çmimit dhe nëse po, sa?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve këtë të hënë në emisionin Shqip me Rudina Xhungën u dhanë përgjigjje kreu i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Adrian Çela dhe zv.Ministri i Energjitikës Ilir Bejtaj përballë kryeredaktorit të Revistës së Mbrëmjes në Top Channel, Enkelejd Llanaj dhe gazetarit Gjergji Erebara.
I pari që mori fjalën ishte zv.Ministri i Energjitikës i cili tha se pozicioni i qeverisë shqiptare është kundër rritjes së energjisë dhe ky pozicion është shprehur edhe tek qendrimi i mbajtur prej saj në mbledhjen e ERE-s. Ai tha se brenda këtij muaji do të merret një vendim për çmimin e ri, i cili tha ai nuk do të jetë më i lartë se mesatarja e çmimit aktual.
“Këtij qendrimi do t’i vazhdojmë t’i mbetemi fuqimisht. Kemi mundësinë dhe mekanizmat ta bëjmë këtë. Çmimi duhet të jetë i drejtë dhe të kënaqë kushtet e 3 operatorëve publikë, por edhe të mos bjerë në kurriz të konsumatorëve asnjë përgjegjësi për paaftësinë e këtyre operatorëve. Do të ketë një çmim të ri dhe brenda këtij muaji besoj do të dalë, por ndryshimet do të jenë transparente. Do të jetë më pak çmimi se sa ai që kemi mesatarisht sot. Synojmë të përmirësojmë performancën e të gjithë ndërmarrjeve tona për të patur një energji në cilësinë e duhur dhe brenda kostove. Ky është objektivi”, tha ai.
Gazetari Gjergji Erebara kundërshtoi duke deklaruar se qeveria propozon një cmim jo të më të lartë se 9.9 lek për kilovat, ndërsa mesatarja akutale është 9.5 lek.
Kreu i OSHEE u përgjigj duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se cmimi do të rritet me 60 përqind. Ai tha se për të gjithë konsumatorët familjarë që konsumojnë nën 300 kilovat rritja nuk do të jetë më e madhe se 200 lek të reja.
Ari Luarasi, Drejtori Teknik i OSHEE-së shpjegoi arsyet e kërkesës së këtij operatorit për rritjen e çmimit në 12.03 lek për kilovat.
“Kemi bërë një kërkesë duke u bazuar tek shpenzimet që ka kompania për të mirëmbajtur rrjetin. Është një kërkesë që e kemi bërë çdo dy vjet. Duhet të theksojmë që kemi bërë një kërkesë në minimumin e mundshëm që të mbijetojmë si kompani dhe e kemi kërkuar 12.03 lek. Kemi caktuar një çmim që kompania të operojë në kushtet normale të saj”, tha ai.
Enkelejd Llanaj tha se sa do të rritet çmimi konsumatorët do ta kuptojmë kur t’u shkojë fatura e parë pas ndryshimeve në shtëpi. “Çështja është se ne në fund do ta marrim vesh, që këta zotërinjtë ose do të dalin gënjeshtarë, ose kanë thënë të vërtetën”, tha ai.
Për Llanaj kërkesa për rritjen e çmimit duhje të mbërrinte pasi kompanitë të analizonin dhe eleminonin abuzimet brenda radhëve të tyre dhe pasi të bëhej një bilanc pas eleminimit të këtyre abuzimeve.
Por kreu i OSHEE-së argumentoi se koha është e pamjaftueshme për kompanitë që të përcaktonin prioritete, ndaj ishte e domosdoshme ndërmarrja e një aksioni në të gjitha frontet. “Nuk kemi kohë për t’i bërë me radhë prioritetet, por duhet t’i bëjmë menjëherë të gjitha”, tha ai.
Këtë qendrimi mbajti edhe zv.Ministri i Energjitikës, Bejtaj.
“Jemi në një situatë ku gjërat janë ndërthurur dhe absolutisht nuk mund të zgjidhen duke i marrë një nga një problemet, por të gjitha në bllok dhe njëherësh. Kemi të bëjmë me një ndërmarrje me 72 miliard asete negative dhe mosmbulim i shpenzimeve në rrjet me 62 miliard lekë që nga 2010, nga koha e çekëve”, tha ai.
Në lidhje nga studio e lajmeve të Top Channel, Enio Civici kërkoi të dijë se cili është roli i qeverisë në përcaktimin e çmimit të energjisë. Pyetjes së tij iu përgjigj zv.Ministri Bejtaj.
“Qeveria ka bërë analiza dhe në analizat tona tregojnë që potencialet brenda ndërmarrjes për të rishikuar çmimin ekzistojnë dhe që çmimi të jetë nën mesataren aktuale. Secila ndërmarrje ka bërë aplikimin bazuar në kostot reale që kanë. Nuk mund të ndërhyjmë në treg dhe në rregullator, por kemi mekanizmat tonë për të kontrolluar të gjitha aplikimit”, deklari zv.Ministri.
Në pjesën e dytë, kreu i OSHEE-së iu rikthye fashës prej 300 kilovat, me të cilën tha se është abuzuar. “Fasha ka qenë më shumë një element abuzimi dhe heqja e saj do të ulë abuzimin, do ta luftojë atë”, tha ai.
Përvec abuzimit, kjo fashë cilësohej edhe si një mbrojtje për familjarët në nevojë. Për këto familje qeveria ka premtuar kompensimin deri në masën 300 kilovat. Por sa është fondi për këto familje sa e sigurtë është që edhe me këtë skemë nuk do të abuzohet?
“Me shifrat që kemi sot kjo shifër ka tendencë të ulet dhe njerëz në nevojë do të dalin nga skema, sepse nëse do të ndodhë që do të vazhdojë të rritet ky numër, dy janë arsyet ose ekonomia do të bjerë, ose ka abuzime të rënda tek skema. Janë 1.8 miliard lekë për familjet që do të kompensohen. Të verifikuar në shumë raste dhe të matur në shumë familje, masa më e vogël e konsumit është rreth 160 kilovat dhe të gjitha këto familje do të kompensohen për 300 kilovat”, u përgjigj zv.Ministri Bejtaj.
Skema e propozuar nga qeveria për debitorët është aktive prej ditës së mërkurë. Cilat kanë qenë efektet e saj në këto ditë?
“Skema nisi të aplikohej të mërkurën dhe për 5 ditë janë bërë 7200 kontrata të reja, ndër këto janë 5500 familjarë dhe 131 mln lekë të reja të arkëtuara për të gjithë Shqipërinë. Marr një shembull nga një nga zonat më problematike sa i përket pagesës. Në tropojë në nëntor u arkëtuan 12 mln lekë dhe 11.8 mln lekë vetëm këto katër ditë që ka hyrë skema në fuqi. Është një ndërgjegjësim i popullatës. Njerëzit po ndërgjegjësohen që duhet paguar energjia. E pandërgjegjësuar është vetëm opozita”, deklaroi kreu i OSHEE-së.
Përveç famijarëve problematik në pagesën e faturave ka qenë një pjesë e biznesit. Si është situata në këtë pjesë të tregut.
“Janë 16 mld lek të paguajtura nga biznesi dhe 8 mijë marrëveshje me të. Sot biznesi paguan 92 përqind të faturës dhe kjo do të thotë që e kemi shtrënguar ndaj biznesit”, tha zv.Ministri Bejtaj.
Në fund, kreu i OSHEE-së tha se këtë dimër nuk do të ketë kufizime energjitike, përjashto rastet kur bëhet fjalë për defekti teknike apo ndërhyrje në përmirësimin e rrjetit.
Top Channel