Greqia voton buxhetin 2015, rritja 2,9%, borxhi 171%

08/12/2014 00:00

Në një atmosferë të tensionuar replikash dhe diskutimesh midis përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës, Parlamenti grek ka aprovuar me 155 vota, nga 290 deputetë të pranishëm në sallë, projektbuxhetin e vitit 2015.

Votimi është kryer në një moment kur klima politike në vend është e paqëndrueshme, ndërsa qeveria e kryeministrit Samaras negocion me kreditorët e saj për daljen e Greqisë nga programi i ndihmave, në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e saj.

“Ju bëj thirrje juve, zonja dhe zotërinj deputetë, për të votuar për buxhetin e parë të balancuar në dekada dhe kështu të bëjmë këtë hap të madh simbolik drejt së nesërmes së Greqisë”, tha Andonis Samaras, kryeministër i Greqisë.

Buxheti i ri synon një rritje 2.9% të PBB-së për vitin 2015,ndërsa parashikon të ulë në 171.4% borxhin kolosal të vendit, më i larti në BE. Votimi është kryer gjithashtu me vështrimin te zgjedhjet e afërta presidenciale, që mund të ndryshojnë skenën politike të vendit, pasi  kryeministri Samaras aktualisht nuk ka mbështetjen e nevojshme të 180 deputetëve në Parlament për të zgjedhur kandidatin e partisë së tij.

Nga ana tjetër, kreu i opozitës së Radikalëve të Majtë, Aleksis Tsipras, ka shigjetuar qeverinë aktuale dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të reja.

“Programi i ndihmës nuk është diçka, nga e cila çdokush mund të hyjë e dalë sa herë të dojë. Ata që i shërbejnë atij nuk mund të gjejnë lehtë daljen. Programi është një regjim, është korniza e ligjeve që rregullojnë gjithë spektrin ekonomik, nga tregu i punës e deri te planifikimi i buxhetit, dhe këtë regjim ju e sollët këtu për ta mbajtur”, tha Aleksis Tsipras, kreu i Syrizas.

Athina zyrtare duhet së pari të bjerë dakord me përfaqësuesit e “Troikës” për masat e nevojshme të zbatimit të pjesës së fundit të programit aktual të ndihmës nga kreditorët e huaj, për t’i hapur rrugë disbursimit të rreth 7 mld eurove, që mbeten të bllokuara nga shtatori i kaluar, si dhe për një mbikëqyrje nga BE dhe FMN gjatë vitit të ardhshëm, pasi parashikohet që Greqia të ketë një vakuum të ri financiar.

Ndërsa ligjvënësit debatonin në Parlament deri në mesnatë, mijëra grekë organizuan një protestë jashtë ndërtese, duke protestuar për reformat që kanë ulur nivelin e jetesës në vend, kanë rritur taksat, papunësinë dhe varfërinë dhe për më tepër – sipas tyre, – projektbuxheti i ri do të reduktojë akoma më shumë pagat dhe pensionet.

Top Channel