Raportuesi i ri për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, euro-deputeti slloven Ivo Vajgl, vlerëson se Maqedonia ballafaqohet me padrejtësi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai mendon se, Shkupi duhet t’i fillojë sa më parë bisedimet për anëtarësim në BE, pasi sipas tij, nuk ka asnjë arsye që ky proces të zgjatet me vite.

“Nuk shoh asnjë arsye për zvarritjen e nisjes së bisedimeve me Maqedoninë. Komisioni Evropian ka gjashtë vjet me radhë që rekomandon hapjen e negociatave dhe asgjë nuk ka ndodhur ende në këtë drejtim. Kjo është e papranueshme. Mendoj se nevojitet që procesi për zgjidhjen e çështjes së emrit të përshpejtohet dhe në këtë do të ndikonte edhe hapja e negociatave”, ka deklaruar Vajgl.

Qëndrim të ngjashëm me zëvendësuesin e tij mbajti edhe ish-raportuesi për Maqedoninë, Richard Howitt, i cili porositi autoritetet e Shkupit që të angazhohen më tepër në zgjidhjen problemeve të brendshme dhe çështjen e emrit.

Ai tha se, Maqedonia duhet të përfshihet brenda kufijve të BE-së për të mos u shndërruar në një konflikt të ri të ngrirë në Evropë.

“Besoj që në të kaluarën ka patur momente kur çështja e emrit mund të zgjidhej, por ato raste janë lëshuar. Shpresoj që nëse përsëri ofrohen raste të tilla, jo vetëm qeveria por edhe qytetarët do të dinë t’i shfrytëzojnë. Gjatë qëndrimit tim sot kam thënë se nuk duhet të ketë kthim mbrapa. Kërkova të respektohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit, kurse politikanët i kam porositur që t’i tejkalojnë dallimet dhe të vendosin interesat kombëtare para atyre partiake”, deklaroi Howitt.

Howitt u shpreh i zhgënjyer që po e lë detyrën e raportuesit pa bërë sa duhet për integrimin e Maqedonisë, por megjithatë ai tha se do të vazhdojë të jetë një mbështetës i fuqishëm i Shkupit në Parlamentin Evropian.

Top Channel