Mogherini pret Bushatin: Shqipëria, rol kyç në rajon

03/12/2014 00:00

“Shqipëria është një histori suksesi në rajon dhe luan një rol thelbësor” vlerësoi Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pas takimit të parë zyrtar me ‘mikun e saj’ , siç u shpreh ajo në Komision për kryediplomatin shqiptar Ditmir Bushati.

“Ishte kënaqësi të takoja ministrin e Jashtëm Shqiptar e mbi të gjitha mikun Ditmir për herë të parë në kapacitetin tim të ri, por jemi takuar disa herë më parë dhe ishte një shans shumë i rëndësishëm për të diskutuar mbi marrëdhëniet BE-Shqipëri dhe hapat pozitiv, ku ne mund të punojmë së bashku në të ardhmen. Ballkani Perëndimor, si rajon, do të jetë një prioritet për mua sepse është rajoni ku pak punë me konsistencë dhe koherencë nga ana e BE së, mund të bëjë shumë diferencë, jo vetëm në interes të qytetarëve të këtyre vendeve, por dhe në interes të BE së. Shqipëria është sigurisht një histori suksesi në rajon e duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë me reformat, jo vetëm për BE në, Shqipërinë, qytetarët shqiptarë, por dhe rajonin. Roli që mund të luajë Shqipëria në rajon është kyç, e mendoj se të gjithë e dimë. Ne mund të punojmë dorë për dore për të vazhduar në këtë rrugë, jo vetëm për integrimin europian, por dhe integrimin rajonal. Ne e dimë se mund të mbështetemi tek Shqipëria dhe qeveria shqiptare për të vijuar kështu me reformat për ndryshimin e vendit dhe rajonit”, u shpreh Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme

“Ne diskutuam për mënyrat sesi BE mund të mbështesë përpjekjet shtet-ndërtuese në Shqipëri dhe në rajon dhe mbi kontributin për një proces efikas dhe dinamik të integrimit. Ballkani Perëndimor ka nevojë për ndihmën e BE-së për t’u transformuar në një rajon të vërtetë në aspektin politik, ekonomik dhe të sigurisë. Qartësia gjeopolitike është kyçe nëse duam të krijojmë një kuptim të qëllimit dhe vlerave të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është krenare për njësimin e plotë të saj me politikën e jashtme të BE-së,së bashku me përpjekjet thelbësore në koalicionin kundër terrorizmit dhe ne do të vazhdojmë në këtë rrugë dhe për të avancuar procesin e demokratizimit dhe transformimit të rajonit”, deklaroi Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Pas marrjes së statusit kandidat në qershor, zëvendëspresidentja e Komisionit, Mogherini, shpreson se së shpejti Brukseli do të jetë në gjendje të caktojë një date për çeljen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë gjatë 2015.  

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA