“Fletorja e Luftës” është libri i ri i Rudina Xhungës. Në këtë botim, ajo ka realizuar një përmbledhje të të gjithë ciklit të emisioneve “Shqip” mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të gjitha debatet, vlerësimet, argumentet e faktet e reja mbi figura e ngjarje, heronj e viktima të asaj periudhe.
Ky libër u shpërnda falas me gazetën “Shqip” në të gjitha trevat shqiptare në datën 29 nëntor.
Viti 2014 ishte i ngjeshur në axhendën mediatike me emisione dhe debate televizive mbi protagonistët dhe ngjarjet që bënë historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por Rudina Xhunga nuk u ndal vetëm këtu… Ajo shkoi pak më tej.
E çoi emisionin te ngjarja. Si një udhëtim në kohë erdhën të gjallë lapidarë, muze, kulla, shtëpi, marrëveshje, vende ku kanë ndodhur masakra, ku kanë rënë dëshmorë, histori njerëzore, veteranë, varreza, kujtime…
Ky nuk është botimi i parë i Xhungës. Gjatë udhëtimit nëpër trevat shqiptare, ajo ka marrë shumë vlerësime për krijimtarinë e saj.
“Rudina Xhunga është gazetare gjithëkombëtare dhe në të njëjtën kohë edhe shkrimtare. Ajo është një gazetare me mendësi të gjerë”, ka deklaruar akademiku Rexhep Qosja.
Ndërsa Teuta Arifi, kryetare e komunës Tetovë, u shpreh: “Keni nderuar qytetin e Tetovës dhe manifestimin “Tetova feston Nëntorin” që është një manifestim që ka parë rritje falë jush dhe miqve tuaj.”
Gjatë rrugës, Xhunga tregon se hasi njerëz që nuk mbanin më nga mënyra e njëanshme e tregimit të historisë. Ky cikël emisionesh, i cili vjen tashmë në libër, i ka sjellë mjaft të reja debatit historik për një periudhë, kur Shqipëria ishte në krahun e duhur, e që mandej shkoi në drejtim të gabuar.
“Vendosëm që libri të dhurohej pasi është një prodhim i historianëve që kanë folur dhe nuk mund të shesësh punën e tyre. Gjithashtu u dha falas pasi i kushtohet atyre që dhanë jetën për atdheun”, tha Rudina Xhunga e ftuar në emisionin ‘Pasdite në Top Channel’.
Ajo shtoi se ka ardhur dita që të flitet hapur për LANÇ-in: “Ka ikur koha e Enver Hoxhës kur u mitizua dhe ka ikur koha e Sali Berishës kur u çmitizua kjo luftë. Është një kohë që na bashkon në debat dhe ku mund të jepen argumenta të reja. Në libër janë të gjitha palët.”
Top Channel