Beteja me HIV/AIDS në Shqipëri, ekspertët bëjnë thirrje për testime vullnetare

01/12/2014 00:00

Shqipëria numëron 774 raste të raportuara me HIV/AIDS, që nga shfaqja e virusit për herë të parë në vendin tonë në vitin 1993.

Të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se vetëm përgjatë 2014-ës janë raportuar 75 raste të reja, dhe kanë humbur jetën 7 persona, duke bërë që vdekjet nga SIDA në vendin tonë të shkojnë në 144.

Ekspertë të sëmundjeve infektive tregojnë se ndonëse gjatë 5 viteve të fundit është vënë re një tendencë për rritje të numrit të rasteve, këtë vit falë trajtimit mjekësor është bërë e mundur që të ulet vdekshmëria mes tyre.

“Ne vëmë re një ulje të numrit të vdekjeve. Këtë vit kemi pasur 7 raste humbje jete. Kjo shifër ka një ulje gati 50 deri në 60 për qind në krahasim me vitet e mëparshme. Pra, në qoftë se shumë vite më parë të diagnostikoheshe me vdekje do të thoshte baraz vdekje, sot AIDS është një sëmundje e cila trajtohet dhe trajtimi është gjithashtu edhe parandalim”, thotë Silva Bino, eksperte për sëmundjet infektive në ISHP.

“Me standardet aktuale, asnjë person i infektuar nuk duhet të vdesë, përkundrazi duhet të jetojë një jetë të shëndetshme, sa më cilësore, por gjithmonë në trajtim dhe nën kujdesje”, thotë Arjan Harxhi, mjek infeksionist në QSUT.

1 dhjetori, Dita Botërore e Luftës Kundër AIDS e gjen Shqipërinë me disa problematika, por sipas specialistëve shqetësues mbetet numri i ulët i testimeve vullnetare për HIV. Ata bëjnë thirrje që të mos anashkalohet më tej testimi, kryesisht nga gratë shtatzëna, pasi vetëm në harkun kohor të këtij viti janë raportuar 5 fëmijë të infektuar, 4 prej të cileve me anë të transmetimit vertikal.

“Fakti që ne vitet e fundit kemi prani të rasteve tek fëmijët e porsalindur, pra kemi transmetim nga nëna tek fëmija dhe sidomos tek të rinjtë, deri në moshën 24 vjeç, tregon që testimet vullnetare janë një element tepër i rëndësishëm ku duhet të bazohet lufta. Të kryhesh një test në lidhje me HIV AIDS-in është të parandalosh vdekjen”, u shpreh Bino.

“Numri i testimeve për HIV është shumë i ulët. Sot në Shqipëri nuk skrinohen gratë shtatzëna për të bërë të mundur identifikimin dhe parandalimin e virusit nga nëna tek fëmija. Pra janë 5 raste të reja dhe një shifër 5 raste për Shqipërinë është një shifër alarmante”, tha Harxhi.

SIDA vazhdon të mbetet një çështje shqetësuese për shëndetin publik anë e mbanë botës. Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se vetëm vitin e shkuar rreth 35 milionë njerëz në mbarë botën kanë jetuar me virusin HIV, ndërsa 1.5 milion kanë humbur jetën për shkak të sëmundjeve që lidhen me të.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta