ANDREA STEFANI- Shkaku i vërtetë i protestës së opozitës nuk është gjoja
reaksioni i shqiptarëve nga prishja e ndërtimeve pa leje apo ndëshkimi i
vjedhësve të energjisë.
Aq më pak politika fiskale e qeverisë që nuk i ka shpalosur akoma pasojat e veta. Këto janë profkat e propagandës berishiste. Shkaku i vërtetë i protestës së 22 nëntorit është gjakimi i Sali Berishës për t’u rikthyer me dhunë në pushtet. Një gjakim që ai e shpalli që më 23 qershor kur ra nga pushteti. Një gjakim që ky autokrat që nuk duron dot të mbeturit pa pushtet dhe që nuk respekton rotacionin e votës demokratike, e ka shfaqur edhe vite më parë, më 14 shtator 1998, kur organizoi një grusht shteti të armatosur. Edhe më vonë kur, me paramilitarët e vet, organizoi sulmin mbi Komisariatin e Tropojës. Protesta e 22 nëntorit nuk ishte, sikundër mashtron Berisha, “protesta” e popullit kundër qeverisë, por ajo e falangave të antishtetit kundër një qeverie që po përpiqet të bëjë shtet.
***
Në protestën e 22 nëntorit Berisha zbatoi një taktikë ku përzihen tragjikomikisht donkishotizmi, hitlerizmi, cezarizmi dhe bonapartizmi. Ai u shfaq si Don Kishoti i Mançës kur Shqipërinë e vitit 2014 u përpoq ta kthejë prapa në vitin 1991, duke bërë thirrje për të përsëritur një tjetër përmbysje si ajo e 20 shkurtit. Sipas logjikës së çakërdisur të këtij patologjiku të panginjur me pushtet e pasuri, sa herë që ky vetë është në pushtet ka demokraci. Por sapo ky rrëzohet demokratikisht nga pushteti, atëherë lind automatikisht, diktatura, shteti policor që duhen rrëzuar ashtu sikundër u rrëzua diktatura komuniste! A nuk ishte po i njëjti Berishë që i binte këmbës se duhet të largohet “qelbësira” Fatos Nano nga pushteti, sepse kishte rivendosur diktaturën e etërve komunistë? A nuk bërtiste rrugaçërisht pas vitit 1997 ta shporrim qelbësirën? Të njëjtën gjë po bën edhe sot, me të njëjtat fjalë, me të njëjtat mjete. Deri kur shqiptarët do vazhdojnë të vuajnë përsëritjen e skenarëve donkishoteskë të këtij të sëmuri për pushtet dhe për antishtet? Deri kur do të vuajnë pasojat e skenarëve mafiozë që nuk e lënë shtetin të ngrejë kokën në Shqipëri duke u bërë kështu “provë” e akuzës përqeshëse të armiqve të Shqipërisë se “shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet”?
***
Në funksion të skenarit të mashtrimit të shqiptarëve me gjoja rikthimin e diktaturës Hoxhiste përhap rrenën e rehabilitimit të diktatorit Enver Hoxha pikërisht ky autokrat i shfrenuar që është shëmbëlltyra, kopja më identike, vazhduesi më i denjë i praktikave të Enver Hoxhës në politikën e sotme. Që nga kulti i përjetshëm në PD që është idem si kulti i përjetshëm i Enverit në PPSH, e deri te marrja e pushtetit me grykën e pushkës si në 14 shtator 1998 apo te mbrojtja e pushtetit me grykën e pushkës si në ditën e masakrës së 21 janarit.
***
Hitlerizmi është ai që trazohet me donkishotizmin në taktikat e Berishës. Sulmi i tij i tërbuar ndaj Kryeministrit Edi Rama është taktika e njohur e Fyhrerit ndaj kundërshtarit të tij kryesor. Gjakon rrëzimin e qeverisë, por ndërkaq, bën thirrje vetëm “Rama Ik”! Nuk lodhet fare për novacion, por thirrjes së vjetër “Nano ik”(!) i ndërron vetëm emrin. Përqendron sulmin te Rama me shpresën se kundërshtarët e tij do të lodhen, nervat do t’i lëshojnë dhe, më në fund, do ta largojnë Ramën që të mund të gjejnë pak qetësi. Këtë bënte edhe Hitleri sikundër e ka pohuar vetë në Main Kampf. Por fryma hitleriane shfaqet edhe në besimin e verbër dhe patologjik se gjithçka që ai beson është edhe dëshirë dhe vullnet i kombit. Largimi i Kryeministrit Rama është një nevojë urgjente vetëm e Berishës dhe e klanit të tij, që shohin te vendosmëria e Kryeministrit për të bërë shtet, armikun kryesor që i kërcënon. Berisha dhe K° e kanë urgjente largimin e Ramës jo sepse reformat po dështojnë, por se e ndiejnë që ato kanë shumë shanse për sukses dhe si të tilla, janë edhe varrosja e shpresave të tyre për t’u rikthyer në pushtet dhe për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë. Por këtë urgjencë të vetën dhe të të vetëve, Berisha e paraqet si një urgjencë të “Kombit”. E përse jo? A nuk e shpallnin nazistët se Fyhreri ishte Gjermania?! Pra a nuk i bie që edhe çdo dëshirë dhe vullnet i “Fyhrerit” të Shqipërisë të jetë edhe vullnet i kombit?
***
Donkishotizmi dhe hitlerizmi përzihen edhe me pak cezarizëm dhe bonapartizëm në kazanin e çorbës së 22 nëntorit. Bonaparti e kish mjeshtëri që të përqendronte të gjitha forcat në një vend e kohë të caktuar për të goditur kundërshtarët, duke siguruar epërsinë mbi ta. Në sajë të kësaj taktike ai ia dilte që në çdo betejë të ishte në shumicë edhe kur ushtritë kundërshtare ishin më të shumta. Këtë bën edhe Berisha. Përqendron të gjitha forcat në bulevard ditën e protestës (me para, furgonë dhe senduiçe) për të krijuar përshtypjen e rreme se është ngritur i gjithë “populli”. Në fakt, pjesëmarrësit ishin shumë pak krahasuar me ata që kanë votuar për PD dhe Berishën. Por edhe ata që morën pjesë nuk vijnë në protestë se i kanë drobitur taksat e qeverisë. Ata do vijnë në protestat e Berishës edhe sikur qeveria t’ua ulë taksat dhe t’ua u rritë pagat e pensionet. Ata do vijnë se i thërret Berisha. Sepse Berisha, si çdo autokrat, është edhe një lloj Cezari. Ky i fundit, u jepte legjionarëve të vet, tokë dhe bukë kur ktheheshin nga lufta dhe i transformonte nga ushtarë në votues të pushtetit të tij. Ndryshe nga të gjithë liderët e tranzicionit, Berisha është i vetmi që ka punuar me vizionin cezarian të një pushteti që duhet të zgjasë përjetësisht. Prandaj edhe sa qe në pushtet, ka toleruar zënien nga të ardhurit e trojeve dhe ndërtimet pa leje të shtëpive në periferi të Tiranës dhe qyteteve të tjera. Në funksion të pushtetit të tij personal ka toleruar fillimisht piramidat financiare, më pas trafiqet e armëve, kontrabandën e naftës, kultivimin e drogës e deri te vjedhja e energjisë elektrike nga fraksione të tëra të popullsisë që i perceptonte si votues të pushtetit të tij. Ka kultivuar antishtetin në funksion të pushtetit. Tani që është në opozitë mbledh nga janë e nga s’janë gjithë falangat e antishtetit që vetë ka kultivuar, gjithë zemërimin e mafies, por edhe fermerëve të drogës, të vjedhësve të energjisë elektrike, të atyre që ndërtojnë barbarisht pa leje apo të atyre që kanë humbur parajsën e korrupsionit 8-vjeçar. Dhe këto turma laramane të kompostuara nga pinjollë klanesh të pasuruar, por edhe më shumë nga ata që mbijetonin në gjirizin e antishtetit, i paraqet sikur të jetë vërshimi i Nilit që po përmbyt “diktaturën e proletariatit”! Fantazira të një të sëmuri për pushtet që duke qenë në anën e gabuar të historisë, kërkon të kthejë prapa rrotën e saj. Sa shanse ka për sukses? Aq sa pati edhe Don Kishoti që “Botën prapa desh ta kthente, dhe në ushtë ta mbërthente”!
Top Channel