Analiza nga CNN: Katër vjet më vonë, Rusia ende po paguan për një gabim fatal në llogaritje në Ukrainë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka dhënë dorëheqjen nga
posti aktual, që mban prej rreth 2 vjetësh. Hagel, i vetmi republikan i mbetur në ekipin e sigurisë të Obamës dhe “mik”, që
prej kohës kur ata kundërshtonin luftën e Irakut në Senat, ka pasur
vështirësi bashkëpunimi me anëtarë të tjerë të ekipit të Obamës si dhe vështirësi artikulimi të një pikëpamjeje të qartë, ndaj
dhe flitet se ka menduar tërheqjen prej javësh.
Hagel shpalli dorëheqjen nga “Shtëpia e Bardhë”, mëngjesin e së hënës në SHBA (pasdite te ne), pas një serie diskutimesh ndërmjet tij dhe Obamës, por dhe zyrtarëve të tjerë të Shtëpisë së Bardhë, ku u arrit në përfundimin se “është koha për një udhëheqje të re në Pentagon”. E megjithatë, ai do të qëndrojë në këtë post deri sa zëvendësuesi i tij të konfirmohet nga Senati.
Sipas “Washington Post”, pretendentët e mundshëm janë Michele Flournoy, ose Ashton Carter, ish-zyrtarë të lartë të Mbrojtjes, të cilët e kanë ushtruar detyrën gjatë mandatit të parë të Obamës si President i Shteteve të Bashkuara. Kreu i Uashingtonit e vlerësoi shërbimin e Hagelit, duke listuar edhe një seri arritjesh të tij, si një njeri që gjithnjë e ka këshilluar drejt.
“New York Times” ishte e para media amerikane, që ka raportuar këtë të hënë mbi largimin e Hagel. Në një intervistë për “PBS” javën e kaluar, Hagel anashkaloi pyetjet në lidhje me qëndrimin apo jo të tij në postin aktual.
“Pikë së pari, unë shërbej në këtë post me dëshirën dhe kënaqësinë e Presidentit. – ka thënë Hagel. – Jam thellësisht mirënjohës për mundësinë që kam pasur këto 2 vjet, për të punuar çdo ditë për vendin tim, si dhe për burrat e gratë që i shërbejnë këtij vendi. Nuk zgjohem mëngjeseve dhe të shqetësohem për punën time. Megjithatë, nuk është e pazakontë që ekipet të ndryshohen në periudha të ndryshme”.
“Së dyti, jam me fat që kam pasur të bëj me disa nga njerëzit më të mirë në botë për të punuar, dhe çfarëdo që të zgjedhë apo vendosë Presidenti, ai është President dhe i merr ato vendime për të mirën e të gjithëve”.
I pyetur nëse ai ende beson se ruan besueshmërinë e Obamës, Hagel u shpreh se “nuk besoj se do të isha këtu ku jam, nëse nuk do kisha besimin e tij. Megjithatë, për këtë duhet të pyesni atë dhe jo mua. Unë takohem me të përgjatë gjithë kohës”.
Hagel, i pari njeri i thjeshtë (veteran lufte) që arriti të bëhej Sekretar i Mbrojtjes, është parë nga ndihmësit e Obamës si në vështirësi për të ruajtur komunikimin e vazhdueshëm me pozicionet e tjera të administratës. Përgjatë verës, ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë u detyruan të tërhiqnin disa komente që ai bëri ndaj Shtetit Islamik (ISIS), në të cilat ai e cilësoi grupin e militantëve si “një kërcënim të pashmangshëm ndaj të gjitha interesave tona”.
“Këtë mëngjes, në orën 11:10 në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me Presidentin, Sekretari Hagel do të njoftojë dorëheqjen. Pasuesi i tij do të zgjidhet shumë shpejt, por Hagel do të qëndrojë në post si Sekretar i Mbrojtjes deri sa kandidatura zëvendësuese të konfirmohet nga Senati i SHBA-ve”, tha në njoftimin paraprak një zyrtar i administratës.
Top Channel