Luli dhe Berisha protestojnë kundër bëmave të Berishës

23/11/2014 00:00

Andrea Stefani – Në ditët që PD lajmëroi se do zhvillonte një protestë kundër varfërisë, papunësisë apo dhe shkatërrimit të ndërtimeve pa leje, në Tiranë nisi të qarkullojë kjo anekdotë: Lulzim Basha ka dalë të takojë qytetarët që i ankohen për gjendjen e keqe ekonomike. Dhe njëri prej tyre i qahet: “Po kam 6 vjet pa punë o burr”!

Mesazhi: PD ka nxjerrë në protestë kundër qeverisë vetëm 1- vjeçare të Edi Ramës një person të cilin e ka lënë 5 vjet pa punë! Shkurt dyshja Berisha-Basha organizuan një protestë që në fakt, drejtohej kundër rrjedhojave negative të një keqqeverisje 8-vjeçare të vetë dyshes Berisha-Basha.

***

Sali Berisha u largua nga pushteti por pasojat e keqqeverisjes 8- vjeçare të tij nuk zhduken dot as lehtë dhe as shpejt. Por paradoksi i momentit është ky: Vetë Berisha, duke përdorur si pupac Lulzim Bashën po përpiqet të përdorë, në luftën për t’u rikthyer në pushtet, pikërisht të këqijat që vazhdojnë të shkaktojnë në jetën e shqiptarëve pasojat katastrofike të qeverisjes së tij. Është pa dyshim një tjetër shfaqje e shëmtuar luftës së paparimtë dhe të pandershme për pushtet që ka qenë tipike e Berishës në këto 23 vjet. Është në të drejtën, lirinë dhe dobinë e demokracisë që një opozitë të protestojë për gabimet e qeverisë aktuale. Por nuk është në të drejtën e saj të formësojë një protestë bazuar mbi pakënaqësi të njerëzve dhe problematika që origjinojnë në fakt nga qeverisja e saj e deridjeshme. Kjo do të thotë që të biesh nga pushteti për keqqeverisje dhe të rikthehesh në pushtet duke shfrytëzuar pasojat e kësaj keqqeverisje, pasoja që janë më afatgjata sa pushteti yt i rrëzuar me votë.

***

Dihet se politikat ekonomike i japin, si për mirë apo për keq, me një vonesë disavjeçare pasojat e tyre. Për shembull në SHBA, ka pasur dikur një debat nëse suksesi ekonomik i presidencës së Klintonit ishte vërtet i qeverisjes së tij apo kishim të bënim me shpalosje të vonuar në kohë të rrjedhojave të politikave ekonomike të ndjekura nga paraardhësi i tij Bush. Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se një vit qeverisje është shumë pak që vështirësitë ekonomike si ato të papunësisë, varfërisë, të rritjes së taksave apo edhe kostot politike në rrafshe të tjera, si të luftës kundër kriminalitetit, kundër vjedhjes së energjisë elektrike, kundër mbjelljes së drogës, kundër ndërtimeve pa leje, t’i ngarkohen qeverisë “Rama”. Por pikërisht këtë po synon Basha, kuptueshëm, nën yshtjen e Berishës. Në fakt, PD synon që të akumulojë pakënaqësi ndaj qeverisë “Rama” duke përdorur jo vetëm vështirësitë që hasin njerëzit nga pasojat e një keqqeverisjeje 8-vjeçare, por edhe nga sforcimet që duhen bërë për t’i kapërcyer sa më shpejt këto pasoja.

***

Por le të flasim konkretisht. Basha po kërkon që shqiptarët të dalin në protestë kundër varfërisë. Ndërkaq edhe më e pakta përpjekje për të arsyetuar, të jep të kuptosh se Shqipëria nuk u zhyt në varfëri gjatë këtij viti që është në pushtet e majta. Shqipëria gjendej e zhytur në varfëri pas 8 vjet qeverisje të PD, madje ky është edhe një nga shkaqet që fakton se përse qeveria Berisha u kundërvotua masivisht më 23 qershor. Dhe pikërisht atë varfëri që nuk e luftoi për 8 vjet, Basha po përpiqet ta përdorë për të ngritur një protestë kundër një qeverie që sapo ka mbushur një vit! Por cila është mënyra për të luftuar varfërinë? Në radhë të parë, është rritja ekonomike. Dhe nuk duhet harruar se PD la një rritje ekonomike në rënie, praktikisht afër zeros. Do kishte arsye për protestë në rast se qeveria “Rama” do kish devijuar një tendencë të ekonomisë nga rritëse në rënëse. Por kjo nuk ka ndodhur. Madje ka ndodhur e kundërta. Nga rënëse rritja e ekonomike parashikohet, edhe nga FMN e Banka Botërore, të jetë rritëse në vitin që po mbyllet, si edhe në atë në vazhdim. Bashkë me rritjen ekonomike lidhet edhe punësimi, që është një nga rrugët më të efektshme për luftimin e varfërisë. Vende pune jo! – fillon të numërojë Basha ato që i quan të këqijat e qeverisjes së majtë PS-LSI. Por bën sikur harron që qeveria “Berisha”, pjesë e së cilës qe edhe Basha vetë, për plot 8 vjet, nuk punësoi as edhe një njeri të vetëm pavarësisht rritjes ekonomike (dhe ky mbetet një paradoks që duhet shpjeguar) që raportonte vit pas viti. E mori treguesin e papunësisë rreth 13 për qind dhe po rreth 13 për qind e la pas 8 vitesh. Edhe nevoja për rritjen e disa taksave sot e ka bazën te thellimi me ritme të papara në vitet e fundit të qeverisjes së PD, jo vetëm të borxhit publik, por edhe stokut të detyrimeve shumëmilionëshe ndaj biznesit. Çifti Berisha-Basha nxit protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike (gjë që nuk ka ndodhur) në një kohë kur janë përgjegjës për katastrofën financiare që trashëgojmë në sektorin energjetik. Protesta Berisha-Basha e merr forcën nga keqqeverisja Berisha-Basha!

***

Akoma më e pandershme, madje antishtet, është që opozita të manipulojë, në funksion të rikthimit në pushtet, pakënaqësinë që ngjallin në disa shtresa të popullsisë të toleruara për dekada të mbijetojnë mbi shkeljen e ligjit, disa aksione të qeverisë “Rama” për rivendosjen e ligjit. Është e pandershme të përdorësh pakënaqësinë që ngjall aksioni i qeverisë për ndëshkimin e vjedhjes së energjisë elektrike apo për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje që ti vetë ke toleruar për 8 vjet qeverisje. Kjo do të thotë që të ngresh në protestë kundër rivendosjes së ligjit falangat e të gjithë atyre shtresave të popullsisë që i ke korruptuar duke toleruar shkeljen e ligjit. Kjo do të thotë që protesta jote të mos jetë një protestë për fuqizimin e shtetit po për dobësimin e tij, një protestë jo për ligjin por dhunimin e tij, jo për të drejtën por për të padrejtën, jo për shtetin por për antishtetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA