
Gjykata e Durrësit ka shpallur fajtorë 5 ish-zyrtarë të komunës Rrashbull, të akuzuar për “shpërdorim detyre” me dhënien e lejeve të ndërtimit në zonën e ndaluar të plazhit të Shkëmbit të Kavajës, si dhe pafajësi për njërin prej tyre.
Trupi gjykues dënoi me 12 muaj burgim Viktor Ndrekën, me 10 muaj Vasil Gjonin dhe me 8 muaj Sabri Trocin. Për të tre këta të pandehur u vendos dhe heqjea e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për dy vjet.
Ndërkaq, shtetasit Erifili Theohari dhe Fatjon Aliaj u dënuan me nga 16 dhe 10 muaj burg, por paralelisht për ta u vendos pezullimi i ekzekutimit të dënimit për një periudhë prej 2 vjetësh.
Ndërsa për Nevjana Isufin, gjykata vendosi pafajësi. Ndërkohë vijon gjykimi me proçedurë normale për kryetarin e komunës Rrashbull, Hysen Gashi.
Të gjithë këta persona, në cilësinë e anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit, kanë dhënë leje ndërtimi në brezin e rërës, një zonë në të cilën është e ndaluar absolutisht të jepen leje dhe të kryhen ndërtime.
Top Channel