
Në Kiev është firmosur marrëveshja e koalicionit për të formuar një mazhorancë të re në Parlament, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 26 tetorit.
Sipas raportimeve të agjencive ndërkombëtare të lajmeve, në koalicion kanë aderuar Fronti Popullor i kryeministrit Arseniy Yatseniuk, partia për Vetëmbrojtje, ajo Radikale e Oleg Liashko dhe Atdheu i Yulya Tymoshenko.
Në kuadër të marrëveshjes parashikohet rruga për anëtarësimin në NATO, reforma e ligjit elektoral, si dhe ato në sektorët e energjisë elektrike dhe agrikulturës.
Prioriteti kryesor i Ukrainës tani për tani është krijimi i një ushtrie mjaftueshëm të fortë për të ndalur çdo agresion ushtarak rus, bëri të ditur më herët gjatë muajit kryeministri Yatsenyuk, teksa dha rekomandimet kryesore ndaj qeverisë së re të koalicionit të drejtuar prej tij.
Perspektiva e rikthimit të një lufte të gjerë në lindje të Ukrainës ka rritur presionin ndaj vendit me ekonomi të tronditur ndjeshëm, duke e detyruar monedhën “hryvnia” të zhvlerësohet me 17 për qind këtë muaj dhe duke rritur kostot e borxheve në maksimum.
Liderët pro-perëndimorë të Ukrainës dhe NATO kanë akuzuar Rusinë për dërgimin e trupave dhe armëve në ndihmë të rebelëve pro-rusë në rajonet lindore, ndoshta për të nisur një ofensivë te re të mundshme, në konfliktin që ka lënë më shumë se 4 mijë viktima që prej prillit.
Vetë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg denoncoi të martën atë që ai e quajti një “prani serioze ushtarake të forcave ruse”, si brenda Ukrainës, ashtu edhe në krahun rus të kufirit, duke nxitur Moskën të tërheqë mbrapsht trupat e saj.
Top Channel