Prokurorë rumunë kanë marrë leje këtë të premte të ndalojnë shefen e njësisë së tyre kundër krimit të organizuar, në pritje të hetimit penal ndaj saj, në atë që konsiderohet si i fundit i një serie rastesh hetimore për korrupsion ndaj figurave të larta në shtetin e Europës Lindore.

Prokurorët e antikorrupsionit kanë dorëzuar një kërkesë në trupën mbikëqyrëse të drejtësisë për të arrestuar Alina Bica, e akuzuar për abuzim me postin e saj të mëparshëm në një agjenci qeveritare, që rikthente pronat e konfiskuara gjatë komunizmit ndaj pronarëve legjitimë të tyre.

Bica, e cila ende nuk është arrestuar, duket se i ka shpëtuar aksionit të drejtësisë, teksa njësia e antikrimit refuzon të komentojë.

Prokurorët e antikorrupsionit kanë fituar lavdërime të mëdha për përpjekjet e tyre nga Bashkimi Europian, i cili po e mban sistemin e drejtësisë të Rumanisë nën vëzhgim të veçantë, duke e përjashtuar këtë vend nga zona “Schengen” deri sa performancat e saj të përmirësohen.

Më herët gjatë kësaj jave, Parlamenti hodhi poshtë një projektligj, i cili synonte të mbante politikanët jashtë burgosjes, duke u përkulur përpara presionit të ushtruar nga Presidenti i ri i vendit, Klaus Iohannis, i cili fitoi zgjedhjet e fundjavës së kaluar me premtimin se do të ruajë sundimin e ligjit.

Top Channel