Maqedoni, komiteti për Marrëdhënie Ndëretnike inekzistent

20/11/2014 00:00

Komiteti kuvendor për Marrëdhënie Ndëretnike katër muaj pas konstituimit të përbërjes së re, ende nuk ka diskutuar për asnjë temë që ka të bëjë me problemet ndëretnike në Maqedoni.

Deputeti i BDI-së Ejup Rrustemi, që kryeson me këtë trup kuvendor, ka thirrur të enjten një seancë, jo për të diskutuar për problemet ndëretnike, por për të caktuar temat për të cilat duhet të diskutojë Komiteti vitin e ardhshëm.

“Deri tani nuk është thirrur Komiteti pasi e dimë se nuk kemi pasur numër të caktuar për kuorum për t’u mbajtur mbledhja”, deklaroi Rrustemi.

Partia Demokratike Shqiptare në opozitë vlerëson se Komiteti për Marrëdhënie Ndëretnike po injoron problemet e shqiptarëve, pasi shumica parlamentare e përbërë nga VMRO-DPMNE dhe BDI-ja nuk e ka prioritet barazinë e plotë mes komuniteteve në Maqedoni.

“Një milion shqiptarë u ballafaquan dhe po ballafaqohen më një milion probleme vetëm gjatë këtyre dy-tre muajve të fundit. Kjo shumicë parlamentare nuk e ka parë të udhës të thërrasë më herët këtë Komitet. Dhe, si gjithçka tjetër, kjo shumicë parlamentare edhe këtë Komiteti nëse nuk mund ta shfrytëzojë për benefite, ateherë bën çmos që ta ngulfasë”, deklaroi deputeti Bekim Fazliu.

Edhe bashkëpartiakët e kryesuesit të Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike, deputetët e BDI-së folën për rolin e zbehur të këtij trupi kuvendor dhe përmendën disa tema që duhen shqyrtuar.

“Që nga viti 2001 e këndëj ne e kemi shndërruar këtë institucion kushtetues në zjarrfikës. Dua të besoj se autorët e kësaj ideje kanë dashur që Komiteti të afirmojë klimë pozitive dhe afruese. Ne duhet që këtë Komitet ta shndërrojmë në promotorin e Marrëveshjes së Ohrit, asaj fryme që na mungon”, tha deputeti Xhevat Ademi.

“Ju mbani përgjegjësi direkte për këtë situatë të rëndë pasi ju jeni ata që votoni ata ministra dhe çdo ligj që është në dëm të shqiptarëve”, replikoi pas tij deputeti i PDSH-së, Fazliu.

Në bazë të ligjit, Komiteti kuvendor për Marrëdhënie Ndëretnike ndër të tjera duhet të shqyrtojë incidentet e karakterit ndëretnik dhe të jep mendim për problemet që pengojnë raportet mes komuniteteve në Maqedoni.

Top Channel