Kandidati i opozitës me prejardhje gjermane, Klaus Iohannis ka arritur një fitore surprizë në zgjedhjet presidenciale në Rumani, duke mposhtur kryeministrin Victor Ponta pas një gare të fortë.

Me pjesën dërrmuese të rezultateve tashmë të publikuara, zoti Iohanni, kryetar i qytetit qendror Sibiu, ka siguruar 54.5 për qind të votave kundrejt 4.5 për qind të zotit Ponta.

Zoti Iohannis, 55 vjeç dhe me prejardhje gjermane, premtoi se do të ndryshojë politikën dhe tha se, “një Rumani e re po merr jetë”.

Rumania është një ndër shtetet më të korruptuara të Bashkimit Evropian, diçka që Iohannis, nga qendra e djathtë, është betuar ta frenojë.

Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, Ponta tha për një kanal televiziv se nuk ka arsye të dorëhiqet nga posti i kryeministrit.

Ai shpresonte të bëhej presidenti më i ri në moshë i vendit përmes zëvendësimit të Traian Basescut, që nuk mund të garonte për herë të tretë pas dy mandatesh.

Diaspora e gjerë rumune, që vlerësohet deri në 4 milionë persona, luajti një rol kyç në këto zgjedhje. Shumë votues në mërgim u shprehën se ishin të zhgënjyer nga Ponta.

Pas raundit të parë të votimit qendra elektorale u hapën në Paris, Londër dhe qytete të tjera ku ka prani të theksuar rumune.

Në shumë prej tyre qytetarët qëndruan në radhë për orë të tëra. Radhë të gjata pati edhe në qytete të tjera të Evropës si në Milano të Italisë, Mynih të Gjermanisë dhe Portsmuth.

Në Paris, policia përdori gaz lotësjellës ditën e diel, për të shpërndarë turmën e votuesve që nuk kishin hedhur dot votën pavarësisht qëndrimit të gjatë në radhë.

Top Channel