Ja ç’do të thotë te europianizosh “Shqipërinë e Madhe”!

17/11/2014 00:00

ANDREA STEFANI – Siç është e pritshme në raste të tilla edhe vizita e Kryeministrit Rama në Beograd nuk u ka shpëtuar qortimeve.

Nuk bëjmë fjalë fare për opozitën në Tiranë që është e programuar të thotë “jo” për çdo gjë që bën apo nuk bën qeveria, veçanërisht kur Kryeministri aktual i cenon, Sali Berishës, kultin primitiv të liderit mbarëshqiptar. Duam të shqyrtojmë atë segment të kritikës që rreket të jetë më serioze, por që megjithatë, nuk u shpëton dot kundërthënieve. Një model të kësaj kritike e gjejmë në një artikull të Halil Matoshit që pretendon se në Beograd e Preshevë “Rama nuk bëri as heroin e as patriotin, por detyrën”. Nënvizojmë, që në krye të herës, se biem dakord që nuk bëhet fjalë fare për heroizëm në atë çka tha apo bëri Rama. Por e kemi tepër të vështirë të kuptojmë, sesi mund të ketë bërë detyrën si qeveritar pa bërë patriotin! Shqipëria ka vuajtur nga qeveritarë “patriotë” që nuk kanë bërë detyrën, por jo nga ata që e kanë bërë atë. Ashtu si nuk ka ditur të nderojë, madje ka ndëshkuar patriotë që kanë bërë detyrën. Dhe një nga ata më të fundit është dhe ambasadori kosovar, Lulzim Peci, që do kohë më parë tha, po në Beograd, se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Peci nuk u brohorit, por u ndëshkua për këtë. Por nuk është i pari rast, që patriotë ndëshkohen nga koniunktura të caktuara pikërisht se kanë bërë detyrën duke thënë një të vërtetë. Ne jemi me fat që një tjetër koniunkturë, nuk lejoi që kjo të ndodhë edhe me Ramën. Sepse do ua kish hapur përsëri shansin disa “patriotëve” që e kanë qorrollisur çështjen shqiptare, mbi të gjitha, duke e shkatërruar dhe zvarritur për mbi 20 vjet shtetin shqiptar nga kriza në krizë. Dhe tradhtia më e madhe tradicionale që i bëhet kombit shqiptar është lënia e shteteve të tij, e Shqipërisë dhe Kosovës, të varfër e të pafuqishëm nga vetë liderët e tyre.

***

Pas devijimeve etnonacionaliste të “Shqipërisë së madhe” të demonstruara më parë nga ish-kryeministri Berisha, është Kryeministri Rama që ndjek një kurs tjetër. Mos vallë e ka tradhtuar idealin kombëtar të “Shqipërisë së Madhe”? Po të qe kështu, përse u duartrokit në Preshevë, pse u përshëndet në Kosovë dhe në mbarë trojet e banuara nga shqiptarët? Por pikërisht kjo simpati mbarëkombëtare e bën edhe Matoshin ta perceptojë qëndrimin e Ramës thuajse si populizëm nacionalist dhe të pohojë se “…në Preshevë Rama u shkri në turmë, si një aleat i mitit të “Shqipërisë së Madhe”. Vërtet?! Por nëse do të qe kështu, ku ndryshon Rama nga populisti dhe etnonacionalisti Berisha dhe si shpjegohet që qëndrimi i tij gjeti aprovimin e Brukselit dhe Uashingtonit?

***

Shpjegimi është fare i thjeshtë. Kur deklaroi se nuk jemi për “Shqipërinë e Madhe”, por jemi për “Europën e Madhe” Rama nuk e braktisi, por e europianizoi idealin kombëtar të bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Duhet të sqarojmë se kur themi “Shqipëri e Madhe” kemi parasysh Shqipërinë Natyrore pra, aspak një ambicie tipike nacional-shovene për të bashkuar në një shtet nacionalist, edhe troje të pretenduara padrejtësisht në kurriz të një kombi tjetër.

***

Po ç’do të thotë ta europianizosh idealin kombëtar të bashkimit? Do të thotë që të kërkosh përmbushjen e tij sipas konceptit të kombit qytetar të Renanit dhe jo sipas konceptit të kombit etnik të Fihtes. Në të parin, lidhja përbashkuese e kombit janë vlerat e lirisë së individit prandaj dhe kombi, shfaqet si një referendum i përditshëm i qytetarëve të lirë. Në të dytin lidhja përbashkuese në komb është gjaku dhe gjuha. Dallimet mes dy koncepteve janë të mëdha. Kombi qytetar shfaqet si mishërim i vullnetit të lirë të njeriut, kombi etnik si fatalitet. Kombi qytetar e vë veten në shërbim të njeriut. Njeriu sakrifikohet për kombin etnik. Liria e njeriut është domosdoshmëri për kombin qytetar. Për kombin etnik ajo është vetëm një rastësi. Konfuzioni në kritikën që i bëhet Ramës, edhe kur mungon tendencioziteti politik si në rastin e Matoshit, buron nga fakti që përqasja e tij europiane ndaj çështjes kombëtare analizohet, më së shumti, duke operuar me nocionet e etnonacionalizmit. Kjo bën që të lindin edhe përfundime kundërthënëse si për shembull: Rama edhe shkrihet në Preshevë me “mitin e Shqipërisë së Madhe”, por njëherazi edhe aprovohet nga Perëndimi! Apo Rama bën detyrën si qeveritar, por jo detyrën si patriot!

***

Shqiptarët kanë dështuar në shekuj në përpjekjet për të realizuar një bashkim kombëtar në frymën e etnonacionalizmit. Ata kanë humbur gjysmën e trojeve, sepse kanë pasur përballë etnonacionalizma fqinjë edhe më të fuqishëm si shtete, por edhe shumë më të mbështetur ndërkombëtarisht. Për shkak të qeverisjeve të këqija në Shqipëri, ky raport nuk ka ndryshuar edhe sot e kësaj dite. Por është Europa që ka ndryshuar shumë krahasuar me shekullin e kaluar. Pasi mori dy leksione të përgjakshme nga dy luftëra botërore, shtetet e saj hoqën dorë nga koncepti etnonacionalist i shtetit, duke vënë theksin gjithnjë e më shumë, tek ai i kombit qytetar. Dhe ndryshe nga kombi etnik që nxit racizmin dhe urrejtjen për të huajin, kombi qytetar nxit bashkëjetesën në pluralitet si vlerë universale. Shtetet europiane janë bërë më të hapura dhe nëse për një moment (pavarësisht një pasaktësie të natyrës skolastike që tolerohet këtu në funksion të thjeshtëzimit të shtjellimit) pranojmë se ato janë ekuivalente me kombin, këtë mund ta themi edhe për kombet europiane. Në këtë kuptim të ngushtë dhe duke përjashtuar dukuritë e ksenofobisë, mund të flitej për kalim të europianëve nga etnonacionalizmi tek euronacionalizmi.

***

Ta europianizosh “Shqipërinë e madhe” do të thotë të riorientohesh për ta zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare duke vendosur si objektiv jo kombin etnik por kombin qytetar ose më saktë, bashkësinë e qytetarëve. Shkurt, do të thotë të imitosh Europën. Do të thotë që në marrëdhëniet Shqipëri–Serbi të këmbëngulësh të imitosh integrimin gjermano-francez pas Luftës së II Botërore, dhe jo Milosheviçin pas rënies së Murit të Berlinit apo Sheshelin pas rënies së Milosheviçit. Do të thotë që për zgjidhjen e çështjeve nacionale t’i drejtohesh paqes dhe jo luftës, forcës së arsyes dhe jo mosarsyes së forcës. Do të thotë të orientohesh nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe jo nga Moska, nga Merkeli dhe jo nga Putini, nga Perëndimi dhe jo nga Lindja! Do të thotë që për herë të parë në histori, shqiptarëve të braktisur nga bota, ti sigurosh aleatët më të fuqishëm në botë.

***

Dhe ç’do të thotë bashkim kombëtar në kontekst europian? Ai është mbi të gjitha bashkimi i njerëzve, i shqiptarëve. Presheva, Bujanovci, Medvegja janë Shqipëri, por shqiptarët e atyre trevave janë privuar të bashkëjetojnë me shqiptarët e tjerë në rajon. Matoshi kritikon Ramën që, sipas tij, nuk mundi të reagojë si duhet kur në Preshevë turma shfaqi parulla si “Presheva, Bujanovci, Medvegja janë Shqipëri!”. Duhet t’ia thoshte në sy të vërtetën popullit në Preshevë – thotë Matoshi. Po çfarë të thoshte që nuk janë Shqipëri?! Sepse ato do të mbeten Shqipëri edhe sikur Shqipëria, Kosova apo Serbia të integrohen një ditë në BE. Nuk mendohet që në të ardhmen, të paktën të shumë brezave, Bashkimi Europian t’i tresë kombet e integruara në të, për të krijuar nga ato një tjetër komb të vetëm të Europës. Ashtu si nuk ka mundur të tresë as Francën, as Gjermaninë dhe madje as Lihtenshtejnin apo San Marinon. Etnonacionalistët mund të flenë të qetë. Sepse në Europën e Madhe mund t’i kenë të gjitha, edhe “Shqipërinë e Madhe”, edhe “Serbinë e Madhe” apo edhe “Greqinë e Madhe”. Privimi që do të vuajnë është vetëm ky: Nuk do të kenë më nevojë të luftojnë e të derdhin gjak për nacionalizmat e tyre. Sepse tipike për frymën e Europës është që të gjithë kombet, pavarësisht dukurive të ksenofobisë apo shkëputjes që i acaron edhe kriza e sotme ekonomike, bëhen pjesë e një sovrani të madh, e interesave të përbashkëta që nxisin bashkëpunimin, paqen dhe dashurinë mes tyre e jo luftën e urrejtjen. Ta europianizosh çështjen kombëtare do të thotë të përpiqesh ta bësh kombin shqiptar, “Shqipërinë e madhe”, pjesë integrale të kësaj bashkësie sovrane dhe qytetare të madhe sa Europa e Madhe!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA