Radikali Vojisllav Sheshel u ka premtuar simpatizantëve të tij në një miting në kryeqytetin serb, se vitin e ardhshëm Serbia do të ketë zgjedhje dhe në do ai do të mundë kryeministrin Aleksandar Vuçiç dhe presidentin Tomisllav Nikoliç.

“Ende gjysma e Serbisë është kundër BE-së. Kjo është fuqia jonë”, ka thënë Sheshel, i cili ka theksuar se me Bashkimin Evropian mund të ketë bashkëpunim, por në raporte të barabarta.

Sipas tij, Serbia duhet të ndajë mendjen: me Perëndimin, vrasës të përhershëm dhe agresorë ndaj serbëve; apo me Lindjen si miq.

Ai ka përsëritur se adresa e ankesave të Serbisë është Uashingtoni e kancelaritë e tjera dhe jo Tirana. “Gjithë ato që bënë shqiptarët, me dronin dhe më pas me vizitën e kryeministrit, janë bërë nga amerikanët”, ka thënë Sheshel.

Për politikën zyrtare në Serbi, Sheshel duket se ende nuk është kthyer nga Haga. Ish-bashkëpunëtorët e tij më të afërt ai ia ka quajtur “radikalët më të devotshëm që Perëndimi i ka bindur se janë të zgjuar dhe të bukur”.

Top Channel