Ushtarët rusë u hodhën me parashutë në fusha të hapura në perëndim të Serbisë, gjatë së premtes, si pjesë e asaj që konsiderohet si një stërvitje e paprecedent ushtarake mes dy vendeve, që ka trazuar ujërat në vendin kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, pas kontradiktave Perëndim-Rusi për shkak të Ukrainës.

Stërvitje njëditore antiterror, diku rreth 50 km nga kufiri i Serbisë me vendin anëtar të NATO-s, Kroacinë, tregon edhe njëherë aktin e balancimit të Beogradit: ruajtja e marrëdhënieve me aleatën më të mëdha të tijin, Rusinë, ndërkohë që synon të integrohet në Europë në një moment tepër të tensionuar mes Perëndimit dhe Rusisë.

Ushtarë nga Garda Kombëtare e Ohajos, në Amerikë, priten të marrin pjesë gjithashtu në stërvitje të përbashkët në jug të Serbisë, më vonë gjatë këtij muaji. Por, stërvitja e së premtes, një sulm i simuluar ndaj një baze terroriste të planifikuar që prej fillimvitit 2014, përfshinë rreth 200 trupa ruse me mjete të blinduara, të dërguar në Serbi nga avioni transportues ushtarak “Ilyushin IL-76”.

Kjo është stërvitja e parë e këtij lloji, së bashku me Rusinë, që prej ndarjes së unionit shtetëror me Malin e Zi në vitin 2006. Shpërthimet kumbuan fortë dhe re të dendura tymi janë parë në të gjithë fushën, pasi forcat ruse “APC” hapën zjarr me topa 30 mm dhe raketa të udhëzueshme, ndoshta një pamje e pakëndshme për atashehun ushtarak ukrainas, i cili ishte prezent.

“Asnjë sekret mbi stërvitjen”, tha ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gasic, duke iu përgjigjur sugjerimeve se qeveria është përpjekur ta mbajë të fshehtë, apo në një profil të ulët këtë stërvitje, në mënyrë që të shmangë irritimin e aleatëve perëndimorë.

“Njerëzit në Serbi janë të shqetësuar se si do të ruajmë neutralitetin, por askush nga jashtë nuk ka e ka kërkuar këtë”, tha ai.

Serbia nuk është vend anëtar i NATO-s, por bashkëpunon me aleancën perëndimore. Ajo ka bërë të ditur se nuk ka në plan të anëtarësohet në NATO, duke reflektuar kështu fyerjen mes serbëve, që kur aleanca ndërmori një luftë ajrore 11-javorshe për të larguar forcat serbe nga Kosova në vitin 1999, që prej 2008-s është një republikë e re e pavarur.

Serbia mbështetet në veton e Rusisë në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, për të bllokuar synimin e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave botërore, pas shpalljes së pavarësisë me mbështetjen e Perëndimit.

Beogradi, gjithsesi, ka hyrë në bisedime për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, por përballet me presionin gjithnjë e në rritje për të përshtatur politikën e saj të jashtme me atë të bllokut 28-anëtarësh, që ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për atë që Perëndimi e konsideron si ndërhyrje ushtarake në mbështetje të rebelëve prorusë në Ukrainën lindore.

Stërvitja e së premtes vjen pas vizitës në Beograd të Presidentit rus Vladimir Putin, muajin e kaluar, kur ai ndoqi një paradë ushtarake në 70-vjetorin e Çlirimit të Beogradit nga nazistët, falë forcave sovjetike dhe guerrilasve partizanë.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel