Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke folur për vizitën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, ka thënë se nuk ka mundur të reagojë ndryshe. Ai ka thënë se nuk e kupton çfarë lidhjesh ka Kosova me Shqipërinë.

“Ndoshta kanë dashur të na tregojnë edhe një herë, se idetë për Shqipërinë e Madhe nuk janë vetëm makthi ynë, por edhe ëndërr e dikujt, ju siguroj një ëndërr e thatë”, është shprehur Vuçiç.

Ai ka takuar ambasadorët e vendeve të Kuintit dhe ata perëndimorë, të cilët – sipas institucioneve të Serbisë, – kanë mbështetur takimin. Vuçiç tha se Rama do të vijë sërish në dhjetor, në Beograd, në samitin rajonal të organizuar nga Kina dhe, atëherë, dikush duhet t’i thotë “mirëdita”.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, në një intervistë për televizionin “B92” ka deklaruar se askush nga liderët që ka vizituar Beogradin, nuk ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, përfshirë edhe vizitën e atëhershme të Sekretares amerikane Hillary Clinton.

Ai ka thënë se Serbia nuk ka qenë e befasuar me deklarimet e kryeministrit Rama, por ky ka qenë një gjest jodiplomatik.

“Ne e dimë mirë, se cilat janë qëndrimet e disa shteteve. Por, është thënë diçka, që nuk është dakorduar. Ne treguam mikpritje dhe organizuam vizitën pa asnjë incident”, tha Daçiç, duke shtuar se vizita nuk ka përmbushur pritjet. “Megjithatë – ka thënë ai, – ne duhet të jetojmë së bashku, pasi mjaft kemi luftuar”.

Top Channel