BE: Vizita e Ramës në Serbi, pozitive

11/11/2014 00:00

Bashkimi Europian e vlerëson pozitivisht vizitën dyditore të
Kryeministrit Rama në Serbi dhe kujton se pajtimi e bashkëpunimi rajonal
kanë rëndësi madhore për perspektivën europiane, ndaj të cilës janë
angazhuar të gjitha vendet e rajonit. 

Ky qëndrim i BE-së nuk ka ndryshuar, u shpreh zëdhënësja e KE, Maja Koçijançiç, kur u pyet nëse ishte provokuese, siç pretendon Beogradi, deklarata e kryeministrit shqiptar mbi pavarësinë e Kosovës.  

“Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Serbi, dje dhe sot, në këndvështrimin tonë duhet të përfaqësojë një pikë kthese për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Presim që të dy udhëheqësit të tregojnë vendosmëri të përtërirë dhe kurajo politike, në mënyrë të tillë që ata të shohin nga e ardhmja dhe të rindërtojnë marrëdhënien pas kaq shumë vitesh dhe ju e dini se kjo është e para vizitë e këtij lloji pas 68 vitesh. Kjo shënon një ndryshim tjetër pozitiv në dialogun rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe në përgjithësi ju e dini shumë mirë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal për perspektivën europiane, njësoj dhe çështja e pajtimit. Ne e kemi bërë shumë të qartë se bashkëpunimi rajonal ka rëndësi madhore dhe i gjithë rajoni është angazhuar për këtë në kuadër të perspektivës europiane. Ne besojmë se përpjekjet në këtë drejtim duhet të vazhdojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të rajonit, sikundër dhe përpjekjet përsa i takon pajtimit. Ky vijon të mbetet qëndrimi i Bashkimit Europian”, tha Koçijançiç.

Top Channel: Kryeministri Vuçiç po takon ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së për të ngritur shqetësimet e tij mbi këtë vizitë. Si e gjykoni këtë dhe çfarë prisni nga vizita e kryeministrit shqipêtar në Preshevë?

Koçijançiç: Takimi të cilit i referoheni, supozoj se është në kuadër të shkëmbimeve të rregullta të mendimeve që delegacioni i BEsë dhe vendet anëtare zhvillojnë me autoritetet serbe atje dhe nuk kam diçka preçize mbi këtë. Përsa i takon programit të vizitës së Kryeministrit Rama, nuk mund të flas për detaje, por në përgjithësi, qëndrimi i Bashkimit Europian për lëndinën e Preshevës është se ne besojmë që qeveria serbe duhet të vazhdojë përpjekjet e saj për të forcuar në këtë zonë zhvillimin ekonomik, përderisa ne si Bashkim Europian ofrojmê ndihmë për Serbinë Jugore, përfshirë për bashkitë ku jetojnë shqipëtarë etnik.” 
 
Pavarësisht qëndrimeve të kundërta publike mbi Kosovën dhe druajtjes për rritjen e tensioneve më pas, vizita historike e kryeministrit shqiptar në Serbi u mirëprit jo vetëm në Berlin nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, por dhe nga disa ministra të jashtëm europianë, si dhe eurodeputetët që merren me rajonin e Ballkanit.

Përgatiti: ARTA TOZAJ

Top Channel