Tensionet shqiptaro-serbe

10/11/2014 00:00

Kryeministri shqiptar Edi Rama, vizitën e tij në Beograd e bën në kohën kur marrëdhëniet u tensionuan ndoshta më rëndë në historinë e viteve të fundit. Pas “dronit” në stadium, gjithçka mori frymë me vështirësi dhe, sidomos për serbët që dinë pak për Shqipërinë, u kthye gjithçka në një konflikt mediatik.

Ndonëse marrëdhëniet në ekonomi nuk janë aq të këqija, opinioni shpesh nuk di të lexojë mes rreshtash.

Por, historianët mendojnë se mediat, kryesisht kanë pasur dy lloje përshkrimesh për shqiptarët gjatë historisë, pavarësisht fqinjësisë.

“Në atë kohë, nëse marrim periudhën pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kanë ekzistuar dy përshkrime për Shqipërinë. Njëra, kur marrëdhëniet ishin të mira dhe politika miqësore, atëherë kur shqiptarët për Serbinë kanë qenë ballkanas, bijë shqiponjash, heronj siç ka qenë Skënderbeu. Por, kjo ka ndryshuar në varësi të politikës”, tha Sasha Mishiç, profesor i historisë bashkëkohore politike.

Goran Miletiç, një aktivist i njohur në Serbi, thotë se janë humbur shumë raste, dhe politika mund të bëjë shumë. Disa hulumtime tregojnë se 40 përqind e serbëve nuk i duan shqiptarët për fqinj, 50% nuk i duan për shef dhe 70% nuk do të martoheshin kurrë me shqiptarët.

“Gjërat kanë qenë duke lëvizur në drejtim të mirë edhe pse ngadalë. Ka filluar dialogu me Kosovën dhe në Preshevë e Bujanoc ka pasur ndryshime. Por, e gjithë ajo që ka qenë pozitive, e gjërat e tilla kanë qenë të pakta, gjithçka është fshirë gjatë një natë. Mendoj se tani jemi sërish në fillim dhe ngjarjet na kanë kthyer në situatën e Kosovës pas viti 1999. Reagimi i publikut ende nuk është i pranueshëm”, tha Goran Miletiç, mbrojtës i të drejtave të njeriut.

Në të gjitha marrëdhëniet politike në Ballkan, një gjë është e sigurt: sugjerohet bashkëpunimi dhe e ardhmja evropiane. Por, varet nga faktorët perëndimorë, nëse ballkanasit do të kenë të shkuarën në valixhet e tyre kur të arrijnë në Bashkimin Evropian.

Top Channel