Monumenti i 5 Heronjve të Vigut në Shkodër ka udhëtuar sërish. Pas largimit nga qendra e qytetit dhe dërgimit në varrezat e dëshmorëve mes mbeturinave urbane, ky monument është zhvendosur në rrethrrotullimin e rrugës Shkodër-Koplik. Vendi i ri është zgjedhur me kerkesë të veteranëve të komunës Rrethina.

“Unë mendoj se ka marrë fund rrugëtimi pa faj i pesë heronjve. Ngaqë nuk u arrit të hapeshin dosjet e spiunëve të komunizmit, nuk u arrit dënimi i autorëve të krimeve të diktaturës, u morën me heronjtë duke shfryrë mllefin. Por ajo që më pëlqeu është se gjatë këtij rrugëtimi ka pasur një klimë miqësore, me banorët kanë qeshur, kanë bërë foto më monumentin dhe janë shprehur të kënaqur që po kthehen në Shkodër”, deklaroi Paulin Radovani, prefekt i qarkut Shkodër.

“Bashkia dhe njësitë e tjera të qarkut, me tërë kërkesat tona nuk aprovuan asgjë dhe nuk morën asnjë mendim. Kishim kërkuar që të bëhej një referendum kur monumenti u lëviz, por nuk u bë. Sot ata u kthyen në Shkodër”, u shpreh veterani Mazun Doniku.

Monumenti i pesë heronjve Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Ndoc Deda dhe Hydajet Lezha u vendos në Shkodër në vitin 1982. Në vitin 2009 u hoq prej andej dhe në disa raste u dëmtua rëndë dhe e gjithë kjo u shqërua me kundërshtimin e ashpër të veteranëve.

Top Channel