Taksat e reja, 160 milionë më shumë

07/11/2014 00:00

Vitin e ardhshëm, qytetarët dhe biznesi do të paguajnë 160 milionë dollarë më shumë nga rritja e taksave dhe tatimeve.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani, paraqiti në Komisionin e Ekonomisë paketën e re fiskale.

“Paketa fiskale ka 14 masa në tërësinë e tyre, ku tre masa realizojnë gjenerim të ardhurash, kurse 11 masa janë lehtësim të biznesit dhe të qytetarit, konsumatorit, individit në Shqipëri”, tha Cani.

Ndër tre taksat që do të rriten është ajo e qarkullimit, akciza e cigareve dhe tatimi mbi te ardhurat personale veç pagave. Taksa e qarkullimit rritet me 10 lekë për litër, akciza e cigareve me 20 lekë për paketë, ndërsa çdo e ardhur personale veç pagave do taksohet në 15 për qind nga 10 për qind, që është aktualisht. Këtu perfshihet taksimi i fitimit nga shitja e shtepive apo pronave të tjera, ai i te ardhurave nga pronesia intelektuale, lojrat e fatit dhe interesat e depozitave.

Për zërin e fundit ministri tha se barra bie vetëm mbi një grup të vogël njerëzish.

“4.3 për qind e depozituesve kanë 60 për qind të depozitave, ose një tjetër e dhënë përsëri është 1.9 për qind e depozituesve kanë 40.1 të vlerës të depozitave, pra janë këta që do ta marrin barrën kryesore”, theksoi Cani.

Në ulje rishikohet renta e kromit që përpunohet në vend, taksa e doganës për naftën e rafinerive, taksat e karburanit për peshkimin dhe ato që vendosen mbi sigurimet e detyrueshme. Ndërsa propozimi i Qeverisë për të hequr akcizën e pijeve energjike duket se nuk do të mbështetet nga deputetët në Komisionin e Ekonomisë, të cilët janë rreshtuar kundër saj.

Top Channel