Vrasja e katërfishtë, Minxhozi: U politizua

06/11/2014 00:00

Për të folur më gjërë rreth tri ngjarjeve më të rëndësishme të ditës, në
studion e edicionit qendror informativ në Top Channel ishte Skënder
Minxhozi, kryeredaktor i revistës “Java”.

Ilir Paço: Ngjarja kryesore ka qenë vrasja e katërfishtë në Tiranë, duke gdhirë e marta dhe reagimet që erdhën pas saj dhe që lidhen me deputeten Luiza Xhuvani. Një koment nga ana juaj rreth mënyrës se si u përcoll kjo ngjarje tronditëse?

Skënder Minxhozi: Është e kotë të zgjatemi që ngjarja ka qenë e dhimbshme dhe që bilanci tragjik dhe tërmeti që shkaktoi ishte i madh. Por po kaq i madh dhe i shëmtuar ka qenë reagimi i politikës në tërësi duke e politizuar ngjarjen dhe dorëheqjen e deputetes, por edhe opozita që i mëshoi edhe njëherë tezave të saj të mëdha për shtetin policor, kriminalizimin e Kuvendit.

Ilir Paço: Si reagoi Kryeministri dhe si reagoi opozita?

Skënder Minxhozi: Kryeministri ka një problem të vogël në qasjen me opinionin publik këto muaj dhe kjo u reflektua edhe në këtë rast ku protagonizmi në këtë ngjarje duhej të ishte i menduar, i peshuar dhe jo me shfaqje të mëdha. Një dorëheqje e rezervuar, e fshehtë dhe shumë modeste e deputetes do të ishte më e mirëpritur dhe s’duhet të harrojmë që përpara se të lëvdojmë familjen Xhuvani, që është për t’u lëvduar, do duhet thënë dicka më tepër sepse momenti ishte i tillë që sytë dhe veshët ishin tek ai ekran dhe duhej thënë dicka më tepër për 4 jetët e humbura.

Ilir Paço: Një tjetër zhvillim i ditës kanë qenë bisedimet mes Presidentit dhe krerëve të institucioneve në lidhje me Guvernatorin e ri. A mendoni se është zgjatur pak si shumë kjo çështje dhe po humbet edhe seriozitetin?

Skënder Minxhozi: Kujtoj që sot bëhen dy muaj që kur ish-guvernatori u arrestua dhe nuk ishte më në gjendje të drejtonte zyrën e Bankës së Shqipërisë. Kemi një hark kohor jo të shkurtër ku palët janë grindur se kush do gjuajë penalltinë dhe jo cili do të jetë topi. Deri më sot të gjithë bëjnë të paditurin dhe vazhdojnë të na thonë përralla boshe të procedurave dhe të gjithë i shmangen emrave. Emrat që unë kam janë emrat që ka votuar media, emra brenda dhe jashtë vendit, emra të nderuar. Emrat kanë dalë në plan të dytë sepse është paaftësia e institucioneve të larta të shtetit për të biseduar normalisht mes tyre, për të caktuar kandidaturat dhe datat. Kushtetuta është e qartë se kush e zgjedh Guvernatorin dhe kush zgjedh anëtarët e Këshillit Mbikqyrës. E gjitha është një gjë e shëmtuar. Gjithçka kemi përveçse Guvernator.

Ilir Paço: Opozita ka deklaruar se do t’i bashkohet një proteste të thirrur nga sindikatat, më saktë nga kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja kundër rritjes së çmimit të energjisë duke ndërmarrë në këtë mënyrë të parin aksion në rrugë pas bojkotit të parlamentit.

Skënder Minxhozi: Që të ketë protestë duhet të ketë protestues. Opozita po bën sërish një gabim jo të vogël taktik duke dalë në rrugë me formate të shëmtuara dhe nuk bën atë që i thotë pjesa më e madhe e anëtarësisë që të kthehet në parlament, por të dalë me pak njerëz duke bërë një bumerang që nuk krijon as frymë proteste, por zbulon pa dashje përmasat e vogla që ka fryma e protestës në këtë vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA