Rreziqet për ekonominë shqiptare

06/11/2014 00:00

I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ishte Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë dhe profesor në Institutin Kanadez të Teknologjisë.

Zoti Xhepa foli në lidhje me buxhetin e vitit të ardhshëm, krizën në Eurozonë dhe ndikimin e saj në ekonominë shqiptare. Gjithashtu ai komentoi edhe ndikimin e mungesës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në politikën e bankës, por edhe të ekonomisë në tërësi.  

Pandi Gjata: Jemi në një kohë ku po diskutohet projektbuxheti. A mund të na thoni a është ky buxhet që mbështet rritjen ekonomike në vend?

Selami Xhepa: Në fakt dokumenti i buxhetit të shtetit është një prej dokumenteve më komplekse dhe të jep mundësinë të qëmtosh në të elementë pozitiv, por sigurisht edhe rreziqet që e shoqërojnë në realizimin e tij. Ndoshta kryefjala e buxhetit për vitin 2015 është përpjekja e qeverisë për të rivendosur stabilitetin financiar të vendit, për të vendosur nën kontroll edhe treguesit më fondamental të buxhetit që është deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Të gjitha përpjekjet e qeverisë, në aspektin e të ardhurave dhe në veçanti në rritjen e tyre, por edhe në mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve për të reduktuar huamarrjen, kanë si synim themelor reduktimin e deficitit fiskal nga 6.4 për qind në 4 për qind që do të jetë për vitin 2015. Ky është një faktor që e ndihmon rritjen ekonomike edhe në perspektiv. Reduktimi i borxhit dhe vendosja e borxhit nën kontroll mendoj që përcjell një sinjal shumë të rëndësishëm tek agjentët ekonomikë dhe që ka të bëjë me reduktimin e kostos së huamarrjes që qeveria do të jetë e detyruar të realizojë në vazhdimësi. Aspekte të tjera që pritet që ky buxhet të ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike kanë të bëjnë me disa stimuj fiskal, politika sektoriale që janë të parashikuara praktikisht. Në veçanti do të shikoja një masë me karakter shumë të rëndësishëm që është parashikuar rimbursimi i tatimit mbi vlerën e shtuar, jo vetëm në mënyrë automatike, por edhe mbi bazën e riskut, e cila do të thotë efektivisht që të gjithë operatorët ekonomikë, do të kenë një shkallë shumë të ulët të riskut, do të marrin TVSH-në e rimbursueshme në një periudhë shumë të shkurtër. Mendoj që kjo do të jetë një masë shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh që mosrimbursimi i TVSH-së në kohën e duhur ka qenë një nga gangrenat e përhershme të sistemit tonë financiar. Ka edhe politika të tjera, të cilat janë shumë modeste, por që synojnë të mbështesin zhvillimin ekonomik. Nga ana tjetër edhe investimet publike priten që të kenë një efekt pozitiv. Gjatë vitit të ardhshëm investimet me fondet publike nga qeveria qendrore të shkojnë në 64 miliardë lekë, nëse kësaj do t’i shtojmë edhe 24 miliardë lekë, të cilat vijnë nga pushteti vendor dhe nga Fondi i Zhvillimit të rajoneve, përbëjnë një stimul të mirë financiar.

Pandi Gjata:  Rritja e të ardhurave parashikon edhe rritjen e disa taksave që do të jenë vitin e ardhshëm. A është kjo rruga e duhur e qeverisë për të ulur borxhin?

Selami Xhepa: Deri tani fola për aspektin pozitiv të konsolidimit fiskal, një nga rreziqet që e shoqëron atë ka të bëjë me mënyrën sesi projektohet ky shërim i ekonomisë. Rritja e taksave, në gjykimin tim, është në anën negative. Gjithmonë është e vështirë të kërkosh alternativa të tjera të shëndoshjes fiskale, sepse rrugët janë dy ose rritje të taksave ose reduktimi i shpenzimeve, ku të dyja janë të dëmshme në perspektivën e rritjes së ekonomisë. Unë e shikoj si rrezik sepse rritja e disa taksave, direkt ose indirekt, do të shoqërohet me një reduktim të konsumit të qytetarëve. Kjo pritet të ketë një impakt negativ, duke patur parasysh që në strukturën tonë ekonomike konsumi zë një peshë relativisht të lartë, e cila është gati 70 për qind kërkesa agregate.

Pandi Gjata: Kur flasim për ekonominë shqiptare gjërat janë të lidhura jo vetëm me atë çfarë ndodh brenda territorit tonë, por flitet se edhe brenda BE-së punën nuk po shkojnë mirë, një krizë e re pritet të prekë eurozonën. Çfarë është kjo valë e re krize dhe a e parashikon buxheti i shtetit për 2015 edhe këtë që ndodh jashtë nesh?

Selami Xhepa: Në fakt ekonomia e brendshme është subjekt i goditjeve qoftë të brendshme, qoftë të jashtme, por në veçanti rëndësia që kanë marrë goditjet nga jashtë kanë qenë shumë prezente gjatë viteve të fundit. Eurozona vazhdon të jetë problematike, pavarësisht informacioneve të fundit se Eurozona mund ta ketë kaluar recesionin sërish. Megjithatë kushtet vazhdojnë të mbeten shumë të pastabilizuara dhe kjo për Shqipërinë ka një implikim shumë negativ, veçanërisht për vitin e ardhshëm. Kërkesa e tregjeve të huaja për produktet shqiptare nuk ka patur ndonjë implikim serioz. Sidoqoftë ndikimet do të jenë në investimet e huaja, por sërish nëse do të shikonim vitet e fundit kemi prurje të rëndësishme, sidomos nga Italia. Ndikimi kryesor mendoj që do të jetë gjendja që do të paraqesin tregjet në raport me normat e interesit dhe kjo mendoj që do të jetë edhe kanali kryesor sesi perspektiva e Eurozonës për vitin e ardhshëm mund të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë tonë.

Pandi Gjata: Ne flasim për këtë situatë komplekse që varet, por dhe nuk varet nga ne. Prej muajsh kemi mungesën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Si ndikon mungesa e guvernatorit në politikën e bankës, por edhe të ekonomisë në tërësi?

Selami Xhepa: Kjo është një situatë e pazakontë që vështirë ta gjesh në ekonominë e vendeve të tjera, që një nga drejtuesit më të rëndësishëm të një prej politikave më të rëndësishme, të mos jetë i kompletuar dhe të ndodhet në një gjendje kaosi dhe amullie për gati gjysmën e vitit. Kjo reflekton edhe një lloj mungese të përgjegjshmërisë nga autoritetet më të larta të vendit. Mendoj që në një kohë shumë më të shkurtër këto pozicione duhet të ishin kompletuar.

Pandi Gjata: A mendoni se duhet të ndryshojë pozicionimi i Bankës së Shqipërisë përsa i përket politikës monetare?

Selami Xhepa: Në fakt debati për politikat monetare tradicionale ka kohë që është vënë në diskutim. Po jetojmë në një kohë shumë të ndryshme, ku mekanizmat e përdorura në mënyrë tradicionale kanë patur një eficencë shumë të dobët. E vërteta është që bankat qendrore nuk kanë qenë në gjendje që të influencojnë daljen e ekonomive nga recesioni. Sot është e nevojshme dhe ka një debat edhe akademik. Disa prej këtyre bankave i kanë thyer barrierat e metodave tradicionale, duke kaluar edhe në mbështetje edhe më të drejtpërdrejtë në ekonomi. Sistemi bankar i Shqipërisë ka nevojë për masa emergjente, ka nevojë për mbështetje shumë të fortë, por ka nevojë edhe për të reformuar sistemin e mbikëqyrjes të sistemit financiar, në mënyrë që këto probleme të bilanceve të përkeqësuara të shëndoshen. Ky do të ishte edhe fillimi i reagimit pozitiv të sistemit bankar për të ndihmuar ekonominë.

Top Channel